MENU
klinika

Paralajmërimi i shkencëtarëve

Shkrirja e akullnajave mund të shkaktojë pandeminë e ardhshme virale!

23.10.2022 - 13:38

Ndërsa bota vazhdon të rikuperohet nga efektet e pandemisë së koronavirusit, shkencëtarët kanë zbuluar se pandemia e ardhshme mund të mos shkaktohet nga lakuriqët apo zogjtë, por nga diçka shumë më e zakonshme: shkrirja e akullnajave.

Analiza gjenetike e tokës zbuloi rreziqet e përhapjes së virusit dhe transmetimit të viruseve te njerëzit. Përhapja e virusit është procesi me anë të të cilit, pasi ndeshet me një host (pritës) të ri, një virus mund ta infektojë atë dhe t’i transmetohet hostit të ri.

Në një studim të botuar në Proceedings of the Royal Society B: Biological Sciences, studiuesit detajuan gjasat e ndikimeve nga ndryshimet klimatike globale.

Sfida më e madhe për shkencëtarët mbetet shkrirja e akullnajave, pasi tkurrja e ngricës së përhershme mund të çlirojë viruse dhe baktere të bllokuara në akullnajat. Këto viruse mund të përhapen në natyrë te njerëzit, ngjashëm me SARS-CoV-2, që çoi në pandeminë Covid-19.

Ekipi mblodhi mostra dheu dhe sedimenti nga Liqeni Hazen, liqeni më i madh i ujërave të ëmbla të Arktikut në lartësi të madhe, dhe renditi ARN-në dhe ADN-në në këto mostra për të identifikuar nënshkrimet afër atyre të viruseve të njohur.

Rezultatet e studimit treguan se rreziku i përhapjes së viruseve rritet në procesin e shkrirjes së përshpejtuar të akullnajave.

Vlen të theksohet se viruset janë të pranishme kudo. Pavarësisht nga shumëllojshmëria e gjerë e gjenomeve, viruset nuk janë organizma të pavarur ose replikues, sepse ata duhet të infektojnë një qelizë strehuese në mënyrë që të shumohen.

Shkencëtarët që studiojnë akullnajat në vitin 2021 gjetën 33 viruse që kanë qenë në gjendje të ngrirë për më shumë se 15,000 vjet, nga të cilët 28 janë viruse të panjohur. Kohët e fundit, viruset janë gjetur edhe në një akullnajë tibetiane që shkrihet për shkak të ngrohjes globale.