Studiuesi më i spikatur i letërsisë shqipe të periudhave më të paprekura nga akademikët shqiptarë, Robert Elsie është autor i 60 librave për shqipen. Në të njëjtën kohë, përkthyesi në anglisht i Lahutës së Fishtës, sa edhe autori i një studimi më shterues për “Brezin e poetëve të humbur” të bejtexhinjve, poetët lirikë që thuajse nuk u prekën, nga studimet shqiptare të letërsisë.
Antologjia e Letërsisë Shqiptare e Elsie-t është një nga më gjithpërshirëset e të plotat, me gjithë diskutimet e hapura – duke vënë në dukje, pothuaj të gjitha rrymat shqiptare të letërsisë shqipe, në gjithë historinë gojore, por edhe të shkruar të kësaj lëmie.
Ka botuar në SHBA, Kanada dhe vende të Europës shumë libra për albanologjinë, së cilës i kushtoi pjesën më të madhe të kohës krijuese. Historia e Letërsisë Shqiptrare është botimi më kulmor i tij, i publikuar në Colorado të SHBA-së në vitin 1995
Shkrimtari, përkthyesi dhe specialisti kanadez i studimeve shqiptare, Robert Elsie, do të shprehej për shqiptarët:
“Mësova shqip, sepse isha shumë i interesuar për Shqipërinë dhe për shqiptarët, që nga vizita e parë në vitin 1978.
Them se, nuk mund të kuptosh asgjë nga një popull, pa kuptuar gjuhën e tij.
E sigurt është gjithashtu, që nuk mund të veprosh në fushën e albanologjisë, pa ditur gjuhën.
Habitem gjithmonë, për ata “albanologë” të huaj që shkruajnë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, dhe nuk kuptojnë asnjë fjalë shqip”.
Sipas tij, është e vështirë që të bësh një krahasim mes shqipes dhe gjuhëve të tjera:
“Është vështirë ta krahasosh gjuhët e botës. Çdo gjuhë ka bukurinë apo forcën e vet. Për shqipen mund të them vetëm se ishte shumë e vështirë për ta mësuar.
Jam lodhur shumë. Por çfarë kënaqësie kur e kupton dhe e flet!”, nënvizon kanadezi.
Përshkrimin mbi Shqipërinë ai e paraqet me këto fjali:
“Shqipëria më mahnit, më lodh dhe më çmend.
Por, ky vend nuk është kurrë i mërzitshëm.
Gjithmonë ka diçka për të zbuluar, diçka që të habit, të gëzon, të tmerron…
Ka sigurisht një mijë gjëra që nuk më pëlqejnë në Shqipëri – mbase jam bërë shqiptar!
Por, nuk imagjinoj se mund të jetoj pa Shqipërinë”, shprehej Robert Elsie, që ndërroi jetë në mënyrë të papritur.
Studiuesi më i njohur i huaj, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta më 2 tetor 2017, prehet në Theth. Vepra e tij për shqiptarët dhe Shqipërinë është një pasuri e paçmuar.