MENU
klinika

Raporti i KE për Shqipërinë

Varhelyi: Për “Open Balkan” zbatoni rregullat e BE

13.10.2022 - 10:45

Komisioni Europian vlerësoi dje progresin e Shqipërisë për vitin 2021. Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi , gjatë prezantimit të progres-raportit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, vlerësoi rezultatet e arritura në disa fusha, mes të cilave Reforma në Drejtësi dhe lufta ndaj korrupsionit.

“Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres të mirë dhe të japë rezultate. Reforma në Drejtësi dhe vetting që po vijon, janë shembuj të progresit të mirë. Vendi ka treguar vendosmëri për të forcuar shtetin ligjor, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, deklaroi Varhejli.

Rreshtimi krah vendeve të Bashkimit Europain ndaj agresionit rus në Ukrainë shihet si një vendim që gëzon mbështetjen e plotë të unionit ndaj Shqipërisë.

“Shqipëria ka mbajtur një linjë 100 % me IFSP dhe e ka përdorur pozicionin e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar për t’iu përgjigjur luftës së Rusisë së bashku me aktorët e tjerë, duke sjellë propozime”, theksoi Varhejli. Vlerësimet në progresraport bëhen edhe për nismën e Ballkanit të Hapur, por kërkohet zbatimi i rregullave të BE-së.

“Nisma e Ballkanit të Hapur nisur nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të luajnë një rol pozitiv në proces, me kusht që të bazohet në rregullat e BE-së dhe mbetet gjithëpërfshirës ndaj të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Çdo masë ekzistuese në kundërshtim me Stabilizim Asocimin dhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore (CEFTA) dhe kundër frymës se Tregu i Përbashkët Rajonal duhet të braktiset si çështje prioritare”, deklaroi ai.

Në draftin e progresraportit thuhet se Shqipëria ka bërë përparim të vazhdueshëm në luftën kundër terrorizmit dhe pastrimit të parave, por sipas unionit, miratimi i amnistisë fiskale mund të rrezikojë arritjet në këtë drejtim.

“Në luftën kundër financimit të terrorizmit dhe kundër pastrimit te parasë, u arrit progres, por Shqipëria mbetet e listuar nga Task-Forca e Veprimit Financiar dhe duhet të zbatojë elementet e mbetura të planit të veprimit të TaskForcës së Veprimit Financiar. Miratimi i një amnistie tatimore dhe penale kundër këshillave të BE-së dhe Moneyval mund të rrezikojnë progresin në këtë fushë”, theksoi KE.

Në projektraport, rezulton se korrupsioni vijon të konsiderohet një shqetësim serioz, ndërsa vendi paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e BE. Rritja e numrit të dënimeve përfundimtare të zyrtarëve të nivelit të lartë mbetet një prioritet i rëndësishëm për të trajtuar më tej kulturën e pandëshkueshmërisë. Kjo është analiza e parë që Komisioni Evropian bën për Shqipërinë, pas fillimit të bisedimeve për anëtarësimin në BE.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Rrëzoni akuzat e turpshme ndaj Kosovës"

Rama, kritika të forta KiE: Shpëtoni fytyrën