MENU
klinika

Pesë muaj para zgjedhjeve

Celibashi: Do mbikëqyrim veprimtarinë e institucioneve dhe funksionarëve publike!

23.11.2022 - 11:15

Pesë muaj para zgjedhjeve, Komisioneri Shtetërore i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se do të mbikëqyrin veprimtarinë e institucioneve, por edhe të funksionarëve të tjerë publike, në mënyrë që ata të veprojnë sipas kodit zgjedhor gjatë fushatës elektorale.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar mbi raportimin financiar të partive politike dhe të kandidatëve, si dhe veprimtaritë e institucioneve publike në fushatë zgjedhore, Celibashi u shpreh se do të punohet ngushtë me partitë politike, shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë që të qartësohet se ku janë limitet për funksionarët.

Ai u shpreh se kjo do të rregullohet me ligj, që nesër të mos ketë asnjë pretekst duke filluar nga kryeministri, tek nëpunësi më i thjeshtë.

“Për institucionet publike mund të thuhet që ne kemi nevojë të diskutojmë për të parë se çfarë kuptueshmëria ka secili prej nesh në lidhje me atë se si duhet të jetë veprimtaria e institucioneve dhe e funksionarëve publike gjatë fushatës zgjedhore sidomos e atyre që janë në ushtrim të detyrës së tyre dhe pjesëmarrjes në garë elektorale

Zgjedhjet e ardhshme të 14 majit, duket se do të ketë një numër jo të vogël të kryetarëve të bashkisë të cilët janë në detyrë dhe do të garojnë në këto zgjedhje.

Është e rëndësishme të kuptojnë ata dhe ne qartësisht se ku është kufiri mes përmbushjes normale të funksionit të tyre si kryetar bashkie me veprime të cilat apo aktivitete që janë pjesë e fushatës së tyre elektorale.

Ne do punojmë ngushtë me partitë politike, shoqërinë civile dhe faktorë të tjerë që të qartësojmë sa është e mundur se ku janë këto limite.

Besoj që në një moment të dytë KQZ ndoshta do të përgatisë edhe një udhëzues në lidhje me këtë çështje. Kjo jo vetëm për ata kryetaret e bashkive në detyrë që do garojnë, por në përgjegjësi për zyrtaret publike që rastësisht ose jo do të jenë të përfshirë në fushatë zgjedhore. Ka qenë një shqetësim kjo çështje jo vetëm për opozitën, por është një element që është raportuar edhe nga OSBE ODIHR. Nuk ngelet për ta diskutuar, por duhet të gjejmë rrugët e zgjedhjes së kësaj problematike, Sjellja e institucioneve publike apo e funksionarëve publikë nga Kryeministri deri tek nëpunësi më i thjeshtë kjo sjellje lidhet me standardin e procesit zgjedhor.

Ne do të kemi gjithë vëmendjen për të mbikëqyrur këtë sjellje dhe për të vepruar sipas kodit zgjedhor. Para se ta bëjmë këtë ne do të përpiqemi që të qartësojmë të gjithë se çfarë ligji e rregullon ketë aspekt, që nesër të mos e ketë si pretekst, duke thënë që unë pata këtë kuptim për këtë dispozitë të kodit zgjedhor, prandaj kam bërë këtë veprimtari, pasi kam menduar që kjo veprimtari nuk mund të përkufizohet si e ndaluar në kodin zgjedhor”, tha Celibashi.

FINANCIMI
Sa i takon financimit, Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi gjatë fjalës së tij tha se partitë politike janë ndërgjegjësuar, por sipas tij ka ende nevojë për përmirësime.

“Theksoj se nuk e konstatoj arrogancën e partive politike për ta shpërfillur hapur atë që ka sanksionuar Kodi Zgjedhor në raport me financimin e politikë. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kemi asnjë problem si parti politike në qasjen e tyre në lidhje me financimin, por duhet ta themi se të gjithë përpiqen. Ky është një hap i mirë le të themi, pasi duket sikur palët janë të ndërgjegjësuar për rëndësi që ka zbatimi i këtyre normave ndoshta edhe frikën për të mos u sanksionuar. Takimi i sotëm është episodi i parë i një serie takimesh që do të zhvillohen. Do të vazhdojmë të konsultohemi në lidhje më të gjitha ndalimet apo lejimet që Kodi Zgjedhor ka për sjelljet. Jo të gjithë e kemi të qartë se kush duhet të financojë kë, sa është vlera e financimit. Akoma nuk kemi një qartësi në lidhje me limitet dhe kufijtë që media ke në lidhje me raportimin dhe pasqyrimin e veprimtarive elektorale në tërësi”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN