Që nga momenti kur Ermal Mamaqi promovoi librin e tij të ri, “Në garë me veten” nuk munguan kritikat, paragjykimet dhe komentet negative nga njerëz të njohur e të panjohur. Një pjesë e mirë e tyre janë treguar skeptikë dhe pretendojnë se të tilla libra hidhen në shitje vetëm për biznes. Madje nuk kanë munguar as debatet publike. Kujtojmë këtu ironitë mes Iva Tiços dhe Ermal Mamaqit virtualisht si dhe përballjen e tij me gazetarin Flavio Qarri.
Për t’i dhënë fund njëherë e mirë komenteve të këtij lloji, Ermali vendosi t’i sqarojë përmes një postimi në Instagram, ku qartazi lexohen komente jo dhe aq dashamirëse për librin e tij të ri. Në përshkrimin e fotos, Ermali shkruan:
“Lexoj disa prej komenteve në rrjet dhe më vjen keq që konstatoj se mentaliteti i shoqërisë sonë ka ndryshuar pak ndër vite. E njëjta gjë ndodh me çdo projekt timin. I njëjti proces, tashmë i parashikueshëm. Ulem, punoj, bëj plot pasion dhe dëshirë projektin që dua të realizoj. Më tej, vjen një valë e madhe kundërshtish, paragjykimesh, sulmesh nga njerëz që dinë fare pak për mua. Vetëm atë që kanë parë në ekran, por edhe atë në shumë raste mund ta keni keqkuptuar. Më pas, e gjithë kjo energji negative e akumuluar, kthehet në konsum dhe në fund, në duartrokitje.
Sipas një hulumtimi që kam bërë, në botë shkruhen përafërsisht 1 milionë libra në vit. Jetojmë në një shoqëri të lirë, ku çdo njeri ka të mundësinë të shfrytëzojë të drejtat themelore, në këtë rast, lirinë e shprehjes. Është tregu që i bën më pas ndarjet, sipas meritave dhe aftësisë.
Në librin “Në garë me veten”, nuk kam bërë gjë tjetër, veçse kam treguar copëza nga historitë e jetës sime, mësimet që kam marrë në trajnimet e shumta dhe reflektimet e mia personale nga gjithçka kam kaluar. Aty do të gjeni të rrëfyera me shumë sinqeritet, ngjarje që nuk i kam treguar asnjëherë më parë dhe kjo është bërë me qëllimin për të ndihmuar ata që gjenden në të njëjtat rrethana dhe vënë në dyshim veten nëse mund t`ja dalin. Nuk e di pse kjo iniciativë shihet si një sfidë ndaj shkrimtarëve apo kandidaturave për “Nobel” në vitin e ardhshëm, kur unë nuk kam shfaqur ndonjë pretendim të tillë. Shihini gjërat kthjellët, ashtu si ato janë. Në librin tim madje mund të mësoni se si t’i menaxhoni më mirë emocionet dhe kjo do t’ju vlejë shumë. Kudo në botë, artistët, futbollistët, trajnerët e motivimit, ndajnë historitë dhe përvojat e tyre jetësore me të tjerë. Edhe ju, jeni po aq të lirë të shkruani, të realizoni gjithçka ju vjen në mend, pasi asnjë dëm nuk mund të vijë nga krijimtaria dhe aq më pak, nga një libër vetëzhvillimi. Uroj shumë që kohën tuaj ta përdorni në mënyrë më produktive (ashtu si unë kur realizoj projektet e mia) dhe nëse doni të dini diçka më shumë edhe për këtë, mund të gjeni disa këshilla të shkruara në libër.”- përfundon Ermali duke i këshilluar dhe uruar të gjithë të bëhen “versioni më i mirë i vetes”.