MENU
klinika

Caktuan datën e zgjedhjeve në veri

Gjithçka që ndodhi dje në takimin e Osmanit me partitë

15.11.2022 - 12:35

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, pas përfundimit të konsultimeve me partitë  politike dhe me Komisionin Qendror ka caktuar 18 dhjetorin, si datë të mbajtjes së zgjedhjeve  të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviç dhe Zveçan.

Osmani, ka theksuar gjithashtu se institucionet e sigurisë do t’i ndërmarrin të gjitha masat në mënyrë që qytetarët pa dallim etnie, të  ndihen të mbrojtur, të sigurt dhe t`i realizojnë të drejtat e tyre kushtetuese.

Kjo pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës vendosi që të largohet nga institucionet qendrore të Kosovës si dhe nga komunat në veri të vendit.

Por, në takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për caktimin e datës së zgjedhjeve në veri të vendit, përfaqësuesit serbë u shprehen skeptik për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat e Kosovës, si në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në takim kanë marrë pjesë përfaqësues nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nga PDK-ja, Betim Gjoshi, nga LDK, Imri Ahmeti, dhe nga partitë tjera minoritare, Aleksandër Jabllanoviq nga Partia Serbe Kosovës, Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive, Emilija Rexhepi nga NDS, Elbert Krasniqi dhe Faton Peci nga Lista Guxo.

Ndërsa, përveç Listës serbe, edhe AAK nuk mori pjesë në takim me presidenten. Pjesë e takimit ishte edhe Nenad Rashiq nga Partia Demokratike Progresive.

Ai tha se mbajtja e zgjedhjeve në veri mund sjellë tensione dhe përshkallëzim të situatës në ato komuna.

“Unë isha pak më i theksuar se kolegu im, duke thënë se kushte për zgjedhje nuk ka. Pra zgjedhjet si të tilla mund që të përdoren për ngritjen eventuale të tensioneve, konflikteve, incidente dhe për përshkallëzim të disa veprimeve të padëshiruara dhe dhunës. Dhe kam kërkuar që të gjendet një mënyrë tjetër, pra se si t’i shtyjmë zgjedhjet në këtë moment ose të gjejmë mënyrë tjetër se si t’i prolongojmë për një periudhë të caktuar kohore”, tha Rashiç.

Rashici foli edhe targat. Ai i bëri thirrje kryeministrit Kurti që ta shtyjë vendimin për targat edhe për dhjetë muaj.

Rashic tha se nëse nuk ka shtyrje të afatit për shqiptimin e gjobave për ata që nuk i konvertojnë targat, vështirë se mund të flitet për ndonjë rezultat të zgjedhjeve. Kurse Aleksandar Jabllanoviq nga Partia Serbe e Kosovës, para gazetarëve në Prishtinë, nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen e subjektit të tij në zgjedhjet që pritet të mbahen më 18 dhjetor.

Madje, ish-ministri Jabllanoviq e ka quajtur situatën në veri të komplikuar.

Jabllanoviç, i cili nuk deshi të flas nga foltorja ku bëri adresimin presidentja, tha se nga kjo situatë në veri mund të ketë gjëra të paparashikueshme.

“Çfarë tani mund t’ju them si një njeri i cili vjen nga veriu i Kosovës është se disponimi i shumicës së qytetarëve të veriut, pra të serbeve, është që nuk duhet që tani të dilet në zgjedhje. A do të ndryshoj ndonjë gjë në ndërkohë dhe se në çfarë drejtimi, ajo varet shumë nga disponimi i qytetarëve nga veprimet/potezat e Qeverisë në Prishtinë e sidomos nga veprimet/potezat e Qeverisë sonë në Beograd. Ne duhet që të kemi koordinim të qartë dhe të afërt me Qeverinë e Republikës së Serbisë, sepse këto nuk janë zgjedhje e thjesht, këto janë zgjedhjet në një moment specifik, i cili mund të jetë shumë i paparashikueshëm. Tani për tani nuk kemi marrë përgjigje nga Prishtina për pyetjet që i kemi parashtruar”, tha ai.

Se a do të marrin pjesë në zgjedhje, Jabllanoviq tha se do të marrin parasysh shumë faktor.

“Situata nuk është aq e thjeshtë… është situatë e komplikuar. Ne në këtë mbledhje kemi ardhur thjeshtë me qëllime të mira, të dëgjojmë se çfarë do të na thuhet këtu, çfarë është plani i Institutit në Prishtinë për organizimin e këtyre zgjedhjeve dhe asgjë tjetër lidhur me të. Se a do të marrim pjesë në këto zgjedhje varet nga shumë rrethana, por për ne si serb para se gjithash, varet nga disponimi në komunitetin tonë si dhe nga qëndrimet e Beogradit zyrtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dorëheqjet e zyrtarëve serbë në veri të Kosovës

Osmani zbulon datën kur mund të mbahen zgjedhjet në 4 komuna

Kurti: Ballkani i Hapur nëse ndryshon Serbia

“Nuk mund të ketë asociacion mbi baza etnike”