MENU
klinika

Historia e të “tmerrshmit” të Beratit

Greqia refuzoi ekstradimin në Shqipëri të Lulzim Cakës

25.11.2022 - 11:42

Sot autoritetet greke refuzuan ekstradimin në Shqipëri, të Lulzim Cakës, i njohur si i “tmerrshmi” i Beratit. Lulzim Caka, një nga krerët e bandave kriminale që ka vepruar gjatë viteve 1995-2000 në zonën e Beratit, Fierit dhe Lushnjës u dënua me 25 vite burg, por në vitin 2019 ai fitoi lirinë.

Ai ishte dënuar në dhjetor të vitit 2012, kur Gjykata e Apelit në Vlorë la në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Fierit. Ngjarja për të cilën u dënua, ka ndodhur në muajin mars të vitit 1998, kur Caka u ka bërë rezistencë forcave të Policisë.

Në atë kohë, i sapoliruar nga burgu me një manipulim dokumentesh i ishte kthyer aktivitetit kriminal. Pas një informacioni për vendosjen e tij në fshatin Pobrat, është angazhuar e gjithë Drejtoria e Policisë së Beratit. Forcat e Policisë, të kryesuara nga Gani Malushi dhe Ilir Ngresi, të vrarë në një atentat më vonë, rrethuan Lul Cakën së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij.

Por, të armatosur me kallashnikov, ata i bëjnë për rreth gjysmë ore qëndresë Policisë. “Unë në ’97-ën nuk jam aktivizuar me bandat, ashtu siç kam lexuar nëpër gazeta. Unë kam pasur një djalë tezeje, Bujar Sulën ose, siç njihej atëherë, Losh Karbunara, që ka qenë një djalë i shkathët”, tregonte Caka në një intervistë të dhënë nga burgu në vitin 2008.

HISTORIA
Motivi për vrasjen e fundit, për të cilën u akuzua Lul Caka, është supozuar hakmarrja, e cila, sipas Policisë, ka nisur qëkur një vëlla i tij mbeti i vrarë nga rivalët e vëllezërve Caka, të identifikuar si fisi i çamëve të Fierit.

Më pas, vdes dhe i ati i tyre, shkak për vdekjen e së cilit u bë hidhërimi nga humbja e të birit. Ngjarja më e dhimbshme ndodh më 1 korrik të vitit 1999, kur e ëma e Lul Cakës, Xhevria, vritet në mënyrë tragjike. Fill pasi e kishte takuar Lulin në burgun e Fierit, ajo rrëmbehet nga disa persona, të cilët kaluan rrëmbimthi me makinë. Më pas ajo gjendet e masakruar në periferi të qytetit.

Për Policinë këto ngjarje e kanë bërë më të egër Lulzim Cakën, por nuk kanë qenë këto që e kanë bërë të tmerrshëm. Emri i tij mësohet se është regjistruar në dosjet e Policisë që prej vitit 1995, kur në Sematicë ai qëllon mbi disa policë, të cilët kishin rrethuar banesën e tij. Aksioni përfundon pa realizuar kapjen e Cakës, me të cilin bashkohet edhe një pjesë e bashkëfshatarëve të tij. Më tej, në shkurt të vitit 1999, ai që sot mban vulën “i tmerrshmi” përballet me Edmond Kosenin, shefin e atëhershëm të Policisë së Lushnjës. Banda e Karbunarës, në të cilën bënte pjesë edhe Caka, hap zjarr mbi Policinë, duke lënë të plagosur njërin nga policët. Forcat e shumta nga radhët e bluve arrijnë të shoqërojnë në Polici një numër të madh personash, ndërsa Lul Caka shpëton. Rasti i fundit, ku Caka tregon forcën e tij me Policinë, ka qenë 25 marsi i vitit 1998.

HASMËRIA
Konflikti hakmarrës mes fiseve Çala dhe Yzeiri, që deri tani ka marrë më shumë se 10 jetë njerëzish, ka nisur pas përfundimit tragjik të historisë së dashurisë mes dy të rinjve. Më 9 maj të vitit 1997, djali i vogël i Çalëve, Bedriu, ekzekutoi me 5 plumba pranë gardhit të tij, një prej djemve të fisit Yzeiri, 28-vjeçarin Lefter, pasi mendoi se ai kishte lidhje për qëllime jo të ndershme me të motrën. Në gjaknxehtësi e sipër Bedriu vrau edhe motrën e tij 21- vjeçare, e cila së bashku me të ëmën i bërtitën atij për krimin e kryer. Duket, me gjithë përpjekjet për të falur gjakun, babai i viktimës, Nezir Yzeiri, nuk e pranoi një gjë të tillë. Që nga kjo ditë dy fiset u ngujuan në shtëpi dhe i ruheshin njëri-tjetrit. Por, në këtë hasmëri u përfshi edhe Lul Caka, si një mik i vjetër i fisit Çala.

Nëna e Lul Cakës u rrëmbye e u vra para 20 vitesh
Policia dhe Prokuroria e Fierit arritën të hidhnin dritë mbi vrasjen e nënës së “të fortit” të Beratit, Lulzim Caka. Për këtë vrasje janë akuzuar 3 persona, Fatmir Emini dhe vëllezërit Artan e Bledar Yzeri. Emini ndodhej në burg në momentin që u zbulua pjesëmarrja e tij në ngjarje, Bledar Yzeiri ishte arrestuar në Belgjikë dhe pritet të ekstradohet, ndërkohë që i vëllai, Artani, vijon të jetë person i shpallur në kërkim. Ngjarja, që ka ndodhur më 1 korrik të vitit 1999, është dokumentuar tërësisht. Më 5 qershor të vitit 2008, burime nga Policia sqaruan se personat e akuzuar për vrasjen e Xhevrie Cakës fillimisht e kanë rrëmbyer atë në afërsi të portës ku bëheshin takimet me të arrestuarit në Drejtorinë e Policisë së Fierit. Më pas e kanë torturuar dhe e kanë vrarë me armë zjarri në pyllin e lumit Seman.

“Vrasjen e nënës ma ka treguar një polic nga ata të shërbimit. E mbaj mend si tani. ‘Ti je Luli?’, më tha. ‘Po’, i thashë unë. Unë e kisha një parandjenjë të keqe në fakt, se ajo nuk rrinte dot pa ardhur, ma ndiente shpirti. Ai polici m’u drejtua pastaj. ‘E di që je mërzitur’, më tha. ‘Po fol’, i thashë, ku e ke hallin’. ‘Nënën tënde ta vranë’, më tha. ‘Rrofsh që ma the’, i kam thënë, por unë e dija si isha në ato momente. Por më tha të mos i tregoja njeriu që ma kishte thënë ai. Detyrimisht, edhe pse u mërzita ku s’bëhet më shumë, unë nuk e dhashë veten. Më tha që nënën ma kishin marrë Milja, Bledi, Artani, kanë qenë edhe dy nipërit e Miles dhe një nga Hoxhara e Fierit, me mbiemër Hoxha. E kanë çuar aty tha dhe e kanë vrarë. Për momentin nuk e dhashë veten. Kur u futa brenda, kërkova takim me drejtuesit e Policisë, kërkova dhe drejtorin që të ma shpjegonin tamam të gjithë atë histori”, tregonte Lul Caka nga burgu disa ditë pasi u zbardh vrasja e nënës së tij.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


3 atentatorët i pritën dhe sapo dolën nga lokali

Dy viktimat e atentatit në Elbasan lëviznin me makina të blinduara