MENU
klinika

Sezoni turistik i 2022-it

Kosovarët shënuan numrin më të lartë të hyrjeve në vendin tonë!

21.11.2022 - 13:15

Sektori i turizmit ka shënuar një vit të mbarë në 2022-n, duke tërhequr vizitorë nga e gjithë Europa.

Edhe gjatë sezonit veror që sapo lamë pas, peshën kryesore të vizitorëve të huaj e mbajtën hyrjet nga Kosova me 15,3% të totalit të turistëve gjithsej, vendas dhe të huaj.

Shifrat zyrtare të lëvizjes së shtetasve të publikuar nga Instituti i Statistikave bëjnë të qartë faktin se shtetasit e Kosovës kanë kontributin më të madh turistik në vend, pas atyre vendas.

Sipas INSTAT, rreth 37% të totalit të vizitorëve në vend, që konsiderohen si turistë e zënë ata vendas.

Pas turistëve vendas, renditen shtetasit e Kosovës. Hyrjet e shtetasve nga Kosova, të cilët patën peshën kryesore të turizmit gjatë periudhës qershor-shtator 2022 variuan nga 11%-16.7% muaj pas muaji (shiko grafikun në fund).

Pas shtetasve të Kosovës, për vendin e dytë “garojnë” italianët dhe polakët. Në qershor dhe korrik vizitorët nga Polonia ishin të dytët, me përkatësisht 7.1 dhe 6.3% të totalit të vizitorëve turistikë në vend.

Në gusht dhe shtator, stafetën e morën italianët, me përkatësisht 6.7% dhe 8.7% të totalit të numrit të vizitorëve gjithsej.

Gjermanët përbënë rreth 5-6% të totalit, të ndjekur nga shtetasit nga Maqedonia e Veriut (4-5%).
Risi për këtë sezon ishin dhe 2.6% turistëve të huaj që vizituan vendin, kryesisht gjatë muajit qershor, pas disa mungesash nga Mbretëria e Bashkuar.

Shtetasit europianë gjithnjë e më tepër po shfaqin interes për Shqipërinë. Rëndësia e këtyre të fundit qëndron në faktin se turistët jo rezidentë janë ata që sjellin më shumë të ardhura në ekonomi, dhe këtë e tregon më së miri edhe rritja e porosive në bare, restorante, hotele, rritja e likuiditetit etj.

Nga Kosova dominojnë turistët që vijnë të paorganizuar, me makinat e tyre, ndërsa polakët vijnë kryesisht përmes agjencive turistike.

Në total, gjatë katër mujorit të sezonit turistik 2022, 62.5% e vizitorëve në vend ishin turistë të huaj, pjesa tjetër vendas, raporton Monitor.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ja si janë shtuar turistët"

Turizmi, Rama publikon shifrat