MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

Ku t’i kërkoj rrënjët e tua PD?

16.11.2022 - 16:23

Sistemi Pluralist në Shqipëri, erdhi ndoshta jo edhe aq natyrshëm, sa ç’erdhi në shumicën e vendeve të tjera ish-komuniste. Kushdo që ka qenë në moshën madhore asokohe, e kujton se si u ngritën në protesta studentët, më idealistët e kërkimit të ndryshimeve politike asokohe, e kujtojnë se si nisën grevën e urisë dhe u ngujuan në Qytetin Studenti, po ashtu kujtojnë edhe se si Sali Berisha u vajti me porosi të Ramiz Alisë, për ti “qetësuar sado pak ata”. U foli shoku Sali (sepse asokohe ashtu ishte) mbi “luftën partizane, mbi aftësitë e shokut Ramiz që kishte drejtuar dikur brigadat dhe divizionet partizane, dhe sot po drejton vendin drejt demokratizimit”.

Pak a shumë, ky ishte thelbi i fjalimit “programatik” të njeriut që pas pak muajsh do të bëhej përjetësisht kryetari i Partisë Demokratike. Sapo e mori atë post (sepse nuk e fitoi), nisi të bëjë hasha, Partinë e Punës, 25 vitet e sekretarit të partisë, Ramizin, Enverin, Hysniun, Nexhmijen, gjithë byroistët me soj dhe sorrollop, madje nuk ngurroi ti burgoste ata me akuza qesharake. Ky pra, ishte njeriu që “shembi diktaturën, solli lirinë, demokracinë, fjalën e lirë”. Ky ishte njeriu që do të zaptonte dhe drejtonte me dorën e hekurt, jo vetëm partinë, por pas Marsit 1992, edhe qeverinë, presidencën, dhe që mbyti me dhunë e gjak, protestat e opozitës së asaj kohe, që dënonin vjedhjen e votës. Ky ishte njeriu që në mbi 1200 emisione televizive nga 1992 deri sot, nuk rresht së thëni se “kam rrëzuar diktaturën e Enver Hoxhës, kam dënuar krimet e tij, kam sjellë demokracinë, jam i vetmi demokrat që ka sot ky vend, madje nuk e kam dashur kurrë sistemin komunist”. Sali Berisha arriti të ngrejë në sistem, flagën e tij propogandistike, të blejë dhe mirëpaguajë sekserë dhe analistë mediash, që arriti të bëhet i pasur, duke mos harruar së pasuruari edhe klanin dhe shpurën e tij.

Dhe sot e kësaj dite, pas gjithë atyre që ka bërë, nga 1997, shitja e pasurive kombëtare dhe publike, pas shkatërrimit dhe boshatisjeve të fshatrave, duke i ftuar ata të mbushnin qytetet, pasi katandisi ekonominë në skëterrë dhe ferr për shqiptarët duke prishur dhe shitur uzinat, fabrikat, kombinatet, duke shitur mijëra tonë makineri të reja që gjendeshin në depot dhe magazinat e qyteteve tona, pasi largoi, degdisi, dhe shkatërroi elitën e Partisë Demokratike, kërkon sërish të ….rikthehet në pushtet. Njeriu që i ka fshirë nga faqja e dheut memorjen dhe muzeun partisë tij, që ka flakur në plehra emrat dhe themeluesit e Partisë Demokratike, duke treguar se “themeluesi dhe vazhduesi mbetet vetëm ai”, sot krenohet dhe kërkon sërish pushtetin.

Ç’nuk ka bërë, dhe ç’nuk po bën Doktori i PD, për të fshirë nga memorja e shqiptarëve, historikun e asaj force të parë politike të lirë, duke i veshur asaj antivlera. Ku ti kërkoj rrënjët e tua PD ? Ku të gërrmoj dhe kërkoj, kur nuk ka mbetur asgjë dhe asnjë veç Berishës, dhe atyre që Partinë Demokratike u kanë dashur dhe e duan, për të ruajtur vehten, mandatin e deputetit, dhe pasurinë e paligjshme. Ku ti kërkoj rrënjët e tua PD, kur atje nuk ka mbetur asgjë e lirë, demokratike dhe perëndimore, pasi gjithçka duket lindore, e zbehtë dhe e plakur, si dikur sistemi që rrëzuan studentët e Dhjetorit…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN