Pagesa për paaftësi nga sëmundjet jepet për të gjithë të punësuarit. Sipas autoriteteve të sigurimeve shoqërore, çdo person i siguruar përfiton të ardhurat për sëmundje, kur vërtetohet me raport mjekësor se ai është përkohësisht i paaftë për të punuar dhe kjo paaftësi nuk është pasojë e një aksidenti në punë, ose e një sëmundjeje profesionale. Personi i siguruar ka të drejtën e përfitimit të të ardhurave për sëmundje edhe brenda 30 ditëve kalendarike, pas mbarimit të sigurimit të tij të detyrueshëm. Por, kjo e drejtë përfituese nuk do të mund të zbatohet nëse i punësuari është pushuar nga puna për akt kriminal, sipas vendimit të gjykatës.
Këto pagesa do të mbulohen nga subjekti punëdhënës, si dhe nga sigurimet shoqërore. Në këto kushte, për 14 ditëshin e parë të raportit të lëshuar për paaftësi nga komisioni mjekësor bëhet e ditur se pagesa do të bëhet nga ana e subjektit ku punon përfituesi. Mbi këtë afat, dhënia e pagesave për paaftësi nga sëmundjet do të mbulohet nga organet e sigurimeve shoqërore. “Mbi ditën e 14-të të raporteve, të cilat jepen nga Komisioni Mjekësor, raportet do të paguhen nga sigurimet shoqërore. Por, gjithmonë llogaritjet do të bëhen nga subjekti ku përfituesi është i punësuar. Raporti mjekësor paguhet deri në 6 muaj gjithsej, duke përfshirë dhe pagesën prej 14 ditësh. Të ardhurat në rastin e sëmundjes për periudhën deri në 14 ditët e para ose të kujdesjes së fëmijës në ngarkim paguhen nga punëdhënësi, sipas përcaktimit në Kodin e Punës dhe në kontratën e punësimit, ose sipas marrëveshjes që do të ketë me përfaqësuesit e punëtorëve”, përcaktohet në ligjin për sigurimet shoqërore.
Vjetërsia e punës do të ndikojë edhe në diferencimin e masës së të ardhurave që jepen për paaftësi nga sëmundjet. Lidhur me të ardhurat që përfitohen në këto raste, në ligjin për sigurimet shoqërore përcaktohet se pagesat për sëmundje janë 70 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës së përfitimit, kur i siguruari ka deri në 10 vjet sigurim të konfirmuara nëpërmjet librezës përkatëse të punës. Ndërkohë që kjo pagesë do jetë më e lartë përkatësisht në masën 80 për qind, për rastet në të cilat i siguruari fakton se ka mbi dhjetë vite sigurim. Për periudhën që përfituesi është shtruar në spital, kur nuk ka njeri në ngarkim, të ardhurat për sëmundje janë 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto, të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës.
Për të siguruar këtë pagesë përfituesi duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon dosjen e dokumenteve të konfirmuara. Konkretisht, pjesë e dosjes duhet të jenë raporti mjekësor që fakton paaftësinë e përkohshme në punë, kopje të dokumentit të identifikimit, librezën e e punës që konfirmon vjetërsinë kontributive. Po ashtu, duhet që të paraqisni edhe formularin e bazës së vlerësuar të 6 muajve të fundit. Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit ose mund të printohet online nga portali qeveritar “e-albania”. Në vijim të procedurës sektori i financës së subjektit punëdhënës, mbështetur edhe në dokumentet e dorëzuara nga përfituesi, plotëson formularin tip-listëpagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka aktivitetin përkatës. Pasi të bëjë të gjitha verifikimet e duhura në lidhje me dosjen e dokumenteve të dorëzuara, kjo agjenci do të bëjë të mundur edhe kalimin e pagesave në llogarinë bankare të përfituesit që plotëson kushtet e sigurimit të këtyre të ardhurave.
Kompensimi për sëmundje kur ndryshon vendi i punës
Personi i siguruar që për arsye shëndetësore, me vendim të komisionit mjekësor kompetent, ndryshon vendin e punës, ka të drejtë të përfitojë nga sigurimet shoqërore, kompensimin e të ardhurave. Shuma e së ardhurës, që do të përfitohet për kompensim, është e barabartë me diferencën ndërmjet pagës së vendit të punës së mëparshme dhe pagës së vendit të punës së re. Ky kompensim nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të gjashtë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës. Periudha e përfitimit nuk duhet të kalojë 3 muaj gjatë një viti nga dita e fillimit të sëmundjes, për të cilën është ndryshuar vendi i punës.
Dokumentacioni që duhet për pagesat e paaftësisë nga sëmundjet:
I punësuari duhet të dorëzojë pranë subjektit ku punon dokumentet e përcaktuara.
Raportet mjekësore.
Fotokopje e Kartës së identitetit.
Librezën e punës/Vërtetim vjetërsie.
Formularin e bazës së vlerësuar të 6 muajve te fundit. (Ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit ose printohet nga sistemi https://e-albania.al/).
Sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e përcaktuara, plotëson formularin tip-Listëpagesë e përfitimeve afatshkurtra, dhe e dërgon atë në Agjencinë lokale të sigurimeve shoqërore, ku ka aktivitetin subjekti.
Agjencia lokale e sigurimeve shoqërore pasi kontrollon dhe verifikon dokumentet e sjella, i kalon pagesat në llogarinë personale të përfituesit.