MENU
klinika

Takimi me Vuçiç në Beograd

Lajçak: Të gjitha marrëveshjet për dialog duhet të zbatohen!

05.11.2022 - 12:09

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak mbrëmë është takuar në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Lajçak ka shkruar se me Vuçiç ka pasur diskutim të gjatë dhe të vështirë.

“Unë mbështetem në sjelljen e përgjegjshme të të gjithëve për të treguar përmbajtje për sigurinë dhe stabilitetin. Duhet shmangur dhuna. U pajtuam që të gjitha marrëveshjet e Dialogut duhet të mbahen dhe të zbatohen plotësisht”, ka shkruar ai.

Sipas mediave serbe, në takim u bashkua edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç. Takimi vjen në një kohë kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën sërish për shkak të mosmarrëveshjeve rreth regjistrimit te automjeteve me targa serbe në Kosovë.

Sot, më 5 nëntor, do të mbahet mbledhja e veçantë e Qeverisë së Serbisë ku për situatën në Kosovë do të flasë presidenti Vuçiq. Ai do të ketë edhe takime me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës, ndërsa është paralajmëruar edhe takimi me kreun e Kishës serbe.

Sipas raportimeve, Vuçiç ka anuluar të gjitha udhëtimet jashtë vendit. Më herët presidenti serb tha se është i shqetësuar pas deklaratave të zyrtarëve evropianë, dhe se së shpejti do ta informojë opinionin për siç tha ai “presionet dhe vendimet e vështira”.