MENU
klinika

Gersa Rrudha

“Le të rihapim të ardhmen”

02.11.2022 - 18:32

  “Le të rihapim të ardhmen” (ky kapitull është shkëputur nga libri me titull “Shpresa Filozofike” një manual për Shqipërinë që duam)

Që në fjalët e para të fjalimit të tij inagurues si president, Barak Obama shumë vite më parë, citonte faktin e të qenit i përgjegjshëm për sakrificat e bëra nga paraardhësit e vet. Kurse në mbyllje të këtij fjalimi, ai u rikthehet etërve themelues të vendit, duke evokuar fjalët dhe gjendjen e tyre shpirtërore me një përshkrim sa drithërues aq dhe shpresëdhënës. E gjithë kjo s’ishte gjë tjetër veçse një përfundim logjik i dëshirës dhe i një frymëzimi të prirur ndaj rievokimit të tyre dhe mësimeve që ata i lanë kombit, të shprehur që në momentin kur nisi udhëtimin me tren nga Filadelfia për në Uashington, ashtu si një paraardhësi i vet i shquar; e të pasqyruar në zgjedhjen si moto të tij të fjalëve të Linkolnit në ligjërimin historik të 1863-it në Getisburg, me temë “rilindjen e lirisë”.

Duket mëse e qartë një nevojë urgjente që në momente të tilla të vështira të krizës, kërkohet të gjehet mbështetje në rikthimin tek mësimet e etërve themelues, një nevojë kjo që nëse do të vendosej në prizmin e realitetit tonë, do të dukej si krejt e huaj, ndoshta romantike, ndoshta patetike, e në sytë e cinikëve e skeptikëve, ndoshta dhe një nacionalizëm shterp. Nuk janë të rastit këto etiketime, pasi vlerësime të tilla janë bërë nga segmente të caktuara analistësh edhe në momentet e para kur publikut shqiptar iu ofrua trashëgimia e vyer e mendimit tonë të traditës e kur herë pas here i kujtohet me forcë aktualiteti dhe rëndësia e mësimeve që ata kanë dhënë.

Është përsëri ai që, në fushatën e zgjedhjeve të nëntorit në USA-2002, përdor termin e “vënies në rrezik të themeleve të demokracisë dhe lirisë, madje dhe në kundërshtim me premtimet elektorale për një ekonomi më të fortë dhe një nivel më të lartë të punësimit, perspektiva këto që historikisht kanë qenë qendra e debatit zgjedhor.

Rasti i Obamës, kësaj figure emblematike të së majtës amerikane, në mbrojtje të lirisë dhe demokracinë, që për të djathtën shqiptare, kanë qenë parimet- busull të të gjitha fushatave, duhet të na bëjë të reflektojmë më shumë në këtë drejtim e ta kqyrim më thellë prioblemin e lirisë dhe demokracisë brenda vetes. Aq më tepër që rikthimi tek rrënjët është gjithnjë i shëndetshëm në përndezjen e ideve të reja, që ndoshta të tilla nuk janë, por shfaqen si të tilla të hedhura e të theksuara në rrethana e situata të caktuara. Një ide e këtij lloji ishte dhe theksimi i përgjegjshmërisë dhe ngritjes së këtij nocioni në bazën e fillimit të një ere të re. Ishte ky pasazhi, që pas fjalimit të Obamës, filloi të hedhë rrënjë idesh dalngadalë në të gjitha qasjet politike të mëpastajme dhe në shumë ligjërata të politikanëve në mbarë botën. E përbri saj kanë nisur të nënvizohet ajo “përtej” që identifikohet me imperativin e kohës së sotme. Sot lipset të theksohet qoftë roli efikas dhe i efektshëm i shtetit ashtu dhe roli ndikues, i fortë dhe konstruktiv i tregut. Sot nuk duhet të pyesim nëse Qeveria është shumë e madhe apo shumë e vogël, por nëse ajo funksionon apo jo.

Sot duhet të ristabilizojmë besimin vital midis popullit dhe Qeverisë, nëpërmjet kërkimit të rregullave të reja dhe ekuilibrave të rinj. E këtu, projekti i tij ambicioz i “përtej” shndërrohet në të njëjtën kohë në termin “post”, qoftë reganian apo dhe ruzveltian, por i lidhur në të dyja rastet me nocionin e lart- fisnikëruar të përgjegjshmërisë. Ja pse do të qe mjaft e nevojshme ta zbërthenim kuptimin e vërtetë të këtij termi, pasi nga pikëpamja juridike, politike, etike apo qoftë dhe fetare, ky nocion shpreh një ngarkesë të fortë problemaciteti, që e sheh të domosdoshëm shpjegimin e vet. Në fakt, koncepti i përgjegjshmërisë, e njeh hyrjen e vet në leksikun e filozofisë në një periudhë relativisht të hershme, e më saktësisht në vitin 1787, kur Aleksander Hamilton, në letrat e tij të famshme Federaliste, për të përshkruar raportin që duhet të ekzistojë midis qytetarëve dhe qeverisë që i përfaqëson, përdori pikërisht termin “përgjegjshmëri”. Që nga ky moment, termi filloi të përdorej gjithnjë e më shpesh, qoftë në fushën juridike, në të cilën ai aludon ekzistencën e një lidhjeje të shkakut dhe pasojës mes një faktori dhe një mënyre të caktuar sjelljeje, qoftë nga pikëpamja etike, duke iu referuar atij raporti të ngushtë që lidh secilin prej nesh me pasojat e veprimeve tona. Madje më në hollësi mund të themi se i takon pikërisht Maks Veberit merita e zbulimit të ndarjes midis “etikës së bindjes” dhe “etikës së përgjegjshmërisë”; në rastin e parë vlen motoja kantiane “që të vihet në vend drejtësia, ia vlen të shkojë në shkatërrim edhe e gjithë bota”, ndërkohë që në rastin e dytë bëhet fjalë për një “veprim racional në përputhje me qëllimin”. Kuptohet, pra, se si nga ana juridike, ashtu dhe në aspektet e tjera politike, etike apo fetare, koncepti i përgjegjshmërisë mbart mbi vete një ngarkesë të fortë problematiciteti, për mënjanimin e së cilës zgjidhjet nuk janë të thjeshta.

Megjithatë, lipset të saktësojmë se zhvillime goxha të spikatura të tematikës së përgjegjshmërisë gjejmë në mendimin modern francez e kryesisht në veprat e Emmanuel Levinasit dhe Zhak Derridasë. Falë hulumtimeve të tyre, në gjuhët moderne evropiane “përgjegjshmëri” do të thotë thelbësisht “të përgjigjesh”. Rrjedhimisht, ajo nënkupton ekzistencën e dy kushteve: të një zëri plotësisht të përcaktuar që “thërret” dhe të një “përgjigjje” ndaj tij. E më tej, kjo “përgjigjje” nëpërmjet së cilës arrihet të realizohet një zgjedhje, e detyrimisht të merret një vendim, duhet të mbartë mbi vete edhe vendimin e “mospërgjigjjes” ndaj zërave të tjerë që e “thërrasin” në mënyrë të njëkohshme. Për ta shpjeguar praktikisht, le ti referohemi një shëmbulli konkret. Nëse një qeveritar e administron pronën publike duke u përkujdesur për interesat e qytetarëve të vet, atëherë ai i “përgjigjet thirrjes” që vjen prej tyre, e pikërisht falë kësaj sjelljeje nuk i “përgjigjet” thirrjes së interesave të tij personale, të lëna kështu në plan të dytë në krahasim me ato të të tjerëve. Nga ky këndvështrim, çdo veprimi ynë, çdo sjellja jonë, është njëherësh një akt maksimalisht i përgjegjshshëm në një drejtim dhe maksimalisht i papërgjegjshëm në një drejtim tjetër. Ndaj, mund të thuhet se nuk mund të jesh i përgjegjshëm në mënyrë “absolute”, por vetëm në lidhje me një zë specifik në krahasim me zërat e tjerë që ngelen kësisoj të padëgjuar. Ja, ky është thelbi i etikës moderne të përgjegjshmërisë.

Midis shumë gjërave të vërteta që u shkruan dhe u rishkruan 2 vjet më parë, me rastin e 40-vjetorit të revoltave të vitit 1968-të, spikat një letër e pabotuar e Hannah Arendtit, të publikuar rishtazi nga një revistë gjermane. Është përgjigjja që shkrimtaria i dërgon një studenti më 25 Nëntor 1967, ku ajo shpreh rezervat e veta për trazirat evropiane dhe amerikane, të përfunduara me një sentencë të famshme: Sfida e vërtetë, në politikë, është të mësosh të mendosh në limit. Bota është e vështirë të ndryshohet, nëse nuk zbulohet më parë që gjithçka ka një limit: “Edhe përgjegjshmëria jonë. Tejkalimi i saj kthehet në një marrëzi madhështie: edhe kur ajo fshihet në sentimentët më sublimë, edhe kur forcat kundërshtare marrin vërtet formën e një makthi”. Është mbresëlënëse të dëgjosh këtë sentencë të Arendtit, sidomos tashmë që thuhet se edhe e djathta botërore po e përjeton ’68-ën e vet, me tërë atë marrëzinë e madhështisë, e që ka aq shumë novojë për një kritikë të ftohtë, më tepër sesa një qasje të frymëzuar nga Irinit (hyjnitë e hakmarrjes) apo një qasje refraktare ndaj limiteve.

Aq më tepër që është gjëja më e vështirë të mësosh limitet e të themelosh mbi to jo vetëm politikën, por edhe gjithë ekzistencën. Nevojiten cilësorë jo të lehtë për t’u gjetur e zotëruar, në botën përreth teje e në vetvete; nevojitet një shikim i ndarë, i distancuar nga vetja, si i atij që na sheh nga jashtë. Nevojitet një ironi e veçantë, e tipit të asaj që pyet me pamjen e shtirur besuese të mënyrës së Sokratit, por që arrin të mbrojë nga marrëzia e madhështisë. E së fundi, nevojitet një qëndrim i të jetuarit “poetikisht”, siç shprehet Holderlini: “me veprime plot merita, vërtet”, por gjithësesi me ndërgjegjen se “poetikisht jeton njeriu në këtë botë”. Janë të gjithë cilësorë që si perlat e një kolane çdokush mund t’i rendisë sipas mënyrës së vet për të kryer atë udhëtim aq të domosdoshëm që do të prodhojë kqyerjen e thellë të vetes; skepticizmin mbi madhështinë e saj, aftësinë e të dëgjuarit në momentin e prekjes së limiteve, e së fundi distancimin nga vetvetja. E veçanërisht për këtë të fundit, ekziston edhe një lloj apologjie mbi metodën e arritjes së saj: e bëhet fjalë jo për distancimin e atij që braktis betejat, por të atij që i vazhdon ato me buzëqeshjen e akrobatit të Rilkes, të përshkruar në Elegjinë e pestë: Subrisio saltat, buzëqeshja që hov kërcimin. Mirëpo që të arrihet në këtë gjendje, lipset të ndjesh ato lloj ndryshimesh që të ndryshojnë jetën dhe inaugurojnë më ekzotikun e të gjtha udhëtimeve: atë brenda vetes.

Atë që e transformon jetën në një dramë me dy protagonistë-rivalë: mendimin dhe veprimin. Në të, protagonistët bashkëjetojnë në mënyrë akrobatike, iluminojnë njëri-tjetrin, e së fundi arrijnë të prodhojnë edhe distancimin nga vetvetja. Udhëtimi brenda vetes apo unit të secilit, mund të kryhet në mënyra të ndryshme: të lavdishme apo të djallëzuara, të gënjeshtërta apo të vërteta. Jo gjithmonë e arrin këtë distancim, por kushtet që të ketë sukses janë përdorimi i tre elementëve: ironia, dyshimi mbi siguritë absolute, sinqeriteti jo si një pikënisje, por si pikë përfundimtare. Pa kaluar nëpër një proces të tillë e nëpërmjet elementëve të tillë përbërës, uni do të fryhej, do të ndihej triumfator; rrjedhimisht, edhe vullneti i pushtetit, që banon në gjithë klasën politike, por edhe në atë mediatike, do të shndërrohej në një verbim shfarosës. E si përfundim, nuk do të arrinim t’i mësonim kurrë limitet.

Ja, të gjitha këto sfida, duke filluar që nga shndërrimi i përgjegjshmërisë në zërin modern me të cilin duhet të flitet nëpër ligjëratat e sotme të politikanëve, e deri tek metodat dhe mënyrat për të fituar sfidën e mësimit të të menduarit në limite, duhet të përballë politika jonë, në mënyrë që të ndihet në po të njëjtat amplituda besimi me njerëzit dhe dëshirat e tyre për qeverisjen dhe politikën.

*Gersa Rrudha (Filologe, Studiuese, Përkthyese) u lind më 1 shkurt 1999 në Lushnjë
2017-2018 studioi në Universitetin e Bukureshtit, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, gjuhë
rumune.
2018-2021 vazhdoi Studimet Bachelor në Universitetin e Bukureshtit, Fakulteti i
Gjuhëve dhe Letërsisë së Huaj, dega Gjuhë dhe Letërsi e Huaj gjermane dhe angleze
Aktualisht vazhdon studimet Master ne Universitetin e Bukureshtit, Fakulteti
i Gjuhëve dhe Letërsisë së Huaj, Filologji; “Strategji komunikacionale interkulturore-
letrare dhe linguistike”.