MENU
klinika

Tirana me 4 kandidatë

Primaret/ Elbasani mbetet pezull, në Durrës zgjatet afati

07.11.2022 - 10:52

Ora 20:00 i datës 6 nëntor ishte afati i fundit për të dorëzuar propozimet për primaret për tri bashkitë më të mëdha të vendit.

Por, përmes një njoftimi për media, Komisioni i Organizimit dhe i Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se për qytetin e Durrësit procesi është shtyrë deri më datën 8 nëntor, atëherë kur përfundon për të gjitha Bashkitë. “Sot, datë 6 nëntor 2022, ora 20:00, mbyllet procesi i marrjes së propozimeve dhe vetëkandidimeve për degët Tiranë dhe Elbasan.

Për degën Durrës, KOKOE ka vendosur që ky proces të shtyhet deri në datë 8 nëntor 2022, ora 20:00. Pas orës 20:00, degët e Tiranës dhe Elbasanit do të depozitojnë fizikisht pranë KOKOE, informacionin për kandidaturat e propozuara në degët përkatëse së bashku me dokumentacionin e dorëzuar pranë tyre në bazë të vendimeve Nr. 11 dt. 24.10.2022 dhe Nr. 12 dt. 27.1.2022 të cilat dorëzohen pranë KOKOE në selinë qendrore të PD, Pas shqyrtimit të dokumentacionit të ardhur nga degët, KOKOE do të bëjë publike emrat e kandiduar/vetëkandiduar ditën e hënë. KOKOE gjen rastin të falënderojë të gjithë kandidatët e propozuar dhe vetë propozuar që u bënë pjesë e primareve si ushtrimi më i madh i demokracisë së një partie politike si dhe të gjitha strukturat e degëve të PD për angazhimin në organizimin e takimeve në seksione/ grupseksione për marrjen e kandidaturave”, njoftoi PD.

Vonesat
Sipas burimeve mësohet se shtyrja e afatit ka qenë për arsye objektive të personit që përflitet kandidat ish-deputetit Igli Cara. Ky i fundit pritet të jetë një prej kandidatëve për primaret në Bashkinë Durrës. Por ndonëse për Durrësin u shty procesi, për Elbasanin një gjë e tillë nuk ndodhi, ndonëse sipas burimeve të gazetës “Panorama” edhe në degën e Elbasanit nuk u dorëzua asnjë kandidaturë. Për Bashkinë Elbasan, në fakt, ishin dy pretendentë nga struktura e PD-së.

Kryetari i Degës, Blendi Himçi, dhe ishdeputeti Aurel Bylykbashi që e synonin futjen në primare. Ndërsa strukturat kanë propozuar edhe pedagogun Elior Vila. Sipas burimeve nga Dega e PD-së së Elbasanit kandidatura për PD-në e Elbasanit ka mbetur pezull pasi mes demokratëve që synojnë të kandidojnë po bëhen përpjekje që të marrin mbështetjen e të gjitha rrymave në Partinë Demokratike. Kandidaturat për Elbasanin pritet të zyrtarizohen sot pas disa konsultimeve që pritet të bëhen në grupe të ngushta mes funksionarëve demokratë. Nuk përjashtohet mundësia për surpriza, bën me dije nga PD e Elbasanit.

Ndërkohë në Tiranë prej disa ditësh janë zyrtarizuar kandidatët që do të marrin pjesë në primare. I pari që u prezantua ishte deputeti Belind Këlliçi, i cili më herët ka qenë edhe kryetar i FRPD. Ndërkohë në zgjedhjet e 25 prillit ai ishte ndër kandidatët me më shumë vota preferenciale. I dyti ishte ish-deputeti Gerti Bigdani, i cili po ashtu ka qenë drejtues më herët i FRPD dhe ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme në PD.

Ndërkohë nuk mungoi edhe kandidatura nga radhët e intelektualëve që kanë qenë më pak të angazhuar politikisht. Dr. Ilir ALimehmeti, i cili fitoi një simpati të lartë gjatë periudhës së pandemisë, ka vendosur që të marrë besimin e demokratëve fillimisht dhe nëse bind ata, do tentojë të bindë qytetarët e Tiranës për të drejtuar bashkinë më të madhe në vend. Në garë në primare është edhe aktivistja e njohur Adriana Kalaja. Ndërkohë, kandidaturat do të kenë 21 ditë kohë për fushatë para se të zhvillohen votimet për primaret.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN