MENU
klinika

"Vetëm në Kosovë"!

Prokuroria Speciale merr vendimin e prerë për Haradinaj

18.11.2022 - 12:44

Prokuroria Speciale në Hagë ka refuzuar kërkesën e Nasim Haradinajt për kryerjen e një vizite për arsye shëndetësore në një shtet tjetër që nuk është Kosova.

Bazuar në njoftimin e prokurorisë Speciale, mbrojtja e Haradinajt nuk ka paraqitur informacione që vërtetojnë gjendjen shëndetësore të tij. Po ashtu në njoftim shtohet se pavarësisht afatit prej 24 orësh për konfirmimin e prognozës, ende asnjë mjek nuk ka dorëzuar informacione mbi gjendjen e rënduar të pretenduar nga mbrojtja e Haradinajt.

“Urgjenca e pretenduar nuk mund të shërbejë si justifikim për lehtësimin e kërkuar, dhe pavarësisht premtimit se një mjek do të konfirmonte prognozën brenda 24 orëve prej momentit të Kërkesës, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka pranuar asnjë informacion mbështetës për më shumë se një javë nga paraqitja”-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Më tej në argumentat e dhënë kundër kërkesës së Haradinajt, thuhet se atij do t’i lejohej udhëtimi për kontroll vetëm drejt Kosovës dhe jo drejt një shteti tjetër.

Dhomat e Specializuara shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN