MENU
klinika

"Nuk kemi treg për mollët, shteti po na mbyt"

Rama propagandë për bujqësinë, fermerët sharrojnë drurët frutorë

01.11.2022 - 18:11

Teksa kryeministri Rama bënte propagandë për arritjet e bujqësisë në një takim me fermerë në Dvoran të Korçës, në një fshat tjetër të qarkut, fermerët sharrojnë drurët e mollës.

“Shteti po na mbyt”, thonë ata, duke shtuar se në kushtet e mungesës së tregut, s’iu mbetet veçse të braktisin kultivimin e këtij fruti për të cilin Korça është e njohur.

“Bujqësia sot është si asnjë vit dhe asnjë ditë më parë deri më sot’”, tha Rama. Kjo deklaratë e kryeministrit Rama në takimin me fermerë të Korçës, bie ndesh me realitetin në zonën e Devollit, e njohur kryesisht për prodhimin e mollëve. “Ne po presim mole, se i shesim me 30 leke, shteti s’na ndihmon dhe ne kemi filluar t’i presim.. me këtë kohe qe erdhi s’ja vlen t’i mbajmë, nuk na del as mundi as djersa as shpenzimet.”, tha një fermer. Shefi i qeverisë foli për fonde të larta të mbështetjes ndaj fermerëve, por pjesa më e madhe e tyre ka parë si mbështetje vetëm subvencionimin e naftës.

“Është e rëndësishme që të ndaj me ju, që bujqësia këtë vit është mbështetur me fondin më të lartë të mbështetur ndonjëherë, që është gati 50 milionë dollarë dhe 50% më shumë sesa fondi i miratuar në fillimit viti për shkak të, natyrisht, krizës dhe për shkak të nevojës për të mos i lënë fermerët vetëm, duke iu dhënë 8 milionë litra naftë pa taksa. Pra falas!”, tha Rama. Ndërkohë, një fermer tha se: “Vetëm subvencionin për naftën kemi marrë, asgjë tjetër”.

Ata që hedhin mollët, sipas kryeministrit janë fermerë që kanë dështuar në punën e tyre. “Ata fermerë të cilët dalin dhe hedhin mollët, që nuk i shesin nuk janë aktorë, janë njerëz realë, janë fermerë që e bëjnë përpjekjen e tyre, por që dështojnë, por kjo është njëra pjesë e të vërtetës”, pohoi Rama. Nga ana tjetër një grua tha se: “Shteti pooo shteti ndihme e madhe, shteti të mbyt, po i presim sa të blejmë drutë 80 leke..

Ndërkohë një tjetër shton se; “Mollët kemi filluar t’i presim, shpenzoj 3 mln lekë edhe nuk marr as 1 mln lekë. Njeri s’na pyet, as treg s’ka…”.

Rama foli me shifra konkrete kur tha se synohet që brenda këtij viti të arrihen gjysmë miliardë lekë eksporte bujqësore shqiptare. Por fermerët thonë se nuk arrijnë t’i çojnë mollët as deri në Tiranë.
“Imagjinoni, e kemi filluar këtë punë me 120 milionë euro eksporte, jemi sot duke i parë, eksportet bujqësore flas, jemi duke i parë javë pas jave sepse edhe mund t’i arrijmë që këtë vit, gjysmë miliardi. Gjysmë miliardi eksporte bujqësore Shqipëria, e cila deri dje i kishte lenë fermerët rrugëve, ju e dini shumë mirë.”, tha një fermer.

“Në Tiranë gjen molle italiane. Po i futi mollët pa akcizë, tregtarët i marrin lirë andej dhe i sjellin këtu. Nafta u ngrit, lum ata që shesin motorseka, që po presin drutë”. “Këto janë shifrat, këto janë faktet, por ndërkohë këto nuk duan të thonë aspak që ne jemi të kënaqur, që bujqësia po lulëzon.”, pohoi Rama. “Rri tërë ditën me burrin në rruge të shesim ndonjë kile molle.”, tha fermerja. Ndërkohë që fermerët presin drurët frutore pasi nuk arrijnë të nxjerrin as mundimin e as shpenzimin, kryeministri paralajmëron vendosjen e një takse shumë të lartë nëse toka nuk punohet apo nuk jepet me qira.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN