MENU
klinika

Analiza

Tërheqja nga Khersoni, dorëzim apo ‘qetësi’ para stuhisë?

15.11.2022 - 13:35

Shumë shpejt Uashingtoni do të debatojë mbi dërgimin e të tjerave miliardave ndihmë ndaj Ukrainës, për të ndihmuar në luftën e saj kundër pushtimit rus.

Ligjvënësit mund të dëshirojnë që së pari të bëjnë një kontroll të realitetit se ku qëndron Rusia në këtë luftë 9-mujore dhe të marrin në konsideratë vendimet që mund të marrë Putini në të ardhmen.

Kjo sugjeron se financimet shtesë të SHBA-së nuk do të japin rezultate të shpejta, ose mund të mos japin fare rezultate, ose mund të prodhojë gjithashtu pasoja shumë të këqija për Amerikën dhe Ukrainën. Ja si janë gjërat në realitet nëse lëmë mënjanë mendimet e dëshiruara:

Zona të shumta anembanë Ukrainës janë ende nën sulmin e rusëve, edhe pse forcat ukrainase po fitojnë shumë terren me një kundërofensivë efektive, duke përparuar ndjeshëm në synimin e tyre për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia.

Të premten e kaluar, njësitë speciale të forcave të armatosura të Ukrainës hynë në qytetin strategjik Kerson në jug të Ukrainës, pas tërheqjes së trupave ruse sipas udhëzimeve të Ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu. Ndërsa presidenti i Ukrainës Zelenski po kremtonte një fitore tjetër, Kremlini paralajmëroi se pavarësisht tërheqjes, për të nuk ka ndryshuar statusi i Kersonit, duke pretenduar se qyteti është ende “pjesë e Rusisë”.

Rusët nuk kanë gjasa ta braktisin përgjithmonë Kersonin apo ndonjë nga 3 rajonet që Moska “aneksoi” kohët e fundit.

Forcat tokësore ruse që kanë marrë tashmë pozicione mbrojtëse në bregun e majtë të lumit Dnjepër, nuk do të përfshihen me gjasë në një betejë ballore me ukrainasit, pasi kanë humbur shumë njerëz dhe pajisje ushtarake.

Po tërheqja është një mashtrim i mundshëm për t’i joshur trupat ukrainase të bien në një kurth. Thuhet se forcat speciale ruse Spetsnaz lanë një mesazh ogurzi në një nga dyert e godinave në qytet. Duke iu drejtuar ukrainasve, mesazhi paralajmëronte se ky ishte një “territor i Perandorisë Ruse”, se Putini ishte “Cari ynë dhe juaji” dhe se trupat ruse vetëm sa janë larguar përkohësisht “me pushime”.

Për javë të tëra, Moska e ka akuzuar Kievin se po planifikon të përdorë një “bombë të pistë”, e quajtur gjithashtu edhe si një pajisje për shpërndarjen e ndotjes radiologjike (RDD), pra një pajisje bërthamore e improvizuar që përmban dinamit të veshur me pluhur radioaktiv.

Në dallim nga bombat tradicionale bërthamore, RDD-të kanë më pak vlerë ushtarake, por prodhojnë panik dhe terror mbi forcat ushtarake dhe popullsinë kundërshtare. Ato shkaktojnë djegie të rënda, sëmundje nga rrezatimi dhe e ndotin ushqimin dhe ujin.

Dëbimi i ukrainasve nga ky rajon, nga ndotja radioaktive do të ishte në përputhje me doktrinën më të fundit ushtarake të Rusisë, e cila parashikon përdorimin e luftës radiologjike, kimike dhe biologjike për qëllime “mbrojtëse”. Rusët kanë një degë të posaçme ushtarake, Forcat e Mbrojtjes Radiologjike, Kimike dhe Biologjike (RKhBZ), që janë të trajnuar enkas për dekontaminim dhe pastrim.

Rusia e ka harxhuar plotësisht fuqinë e saj luftarake konvencionale, pasi deri tani ka lëshuar rreth 4.000 raketa dhe sipas kryetarit të shefit të shtabit të përbashkët të ushtrisë, gjeneral Mark Millej, ka humbur rreth 100.000 ushtarë, të cilët janë vrarë ose plagosur.

A replica of the Soviet Banner of Victory flies by a WWII memorial in the city of Kherson on May 20, 2022, amid the ongoing Russian military action in Ukraine. – Authorities in the Moscow-controlled Ukrainian region of Kherson announced on May 23 the introduction of the ruble as an official currency alongside the Ukrainian hryvnia. The region’s capital Kherson was the first major city to fall to Russian forces after the start of Moscow’s military operation in Ukraine on February 24. (Photo by Andrey BORODULIN / AFP) (Photo by ANDREY BORODULIN/AFP via Getty Images)

Morali i ushtrisë ruse është i ulët.

Në front po dërgohen njësitë speciale, të cilat kanë për detyrë të ekzekutojnë ushtarët rusë dhe dezertorët që tërhiqen. Shumë komandantë rusë nuk kanë arritur të sigurojnë fitore në sektorët e tyre të frontit. Megjithatë, pavarësisht pritshmërive të Uashingtonit, Putini nuk do ta braktisë luftën.

Regjimi i tij i sheh rreziqet aktuale si ekzistenciale për të, po ashtu edhe për Rusinë. Moska dëshiron që Ukraina të mbetet pjesë e perimetrit të saj strategjik të sigurisë, mbi të cilin është mbështetur për shekuj. Putini do të vazhdojë të zbatojë versionin e tij të Doktrinës Monro për të mbajtur trupat dhe ndikimin e NATO-s jashtë një vendi që ka një kufi prej 2250 km me Rusinë.

Sipas strategjisë së re “asimetrike”, Moska po synon të godasë infrastrukturën jetike për t’i lënë ukrainasit pa ujë, energji elektrike dhe ngrohje në prag të dimrit. Sulmet me raketa dhe dronë ndaj rrjetit elektrik të Kievit kanë lënë pa energji gjysmë milioni shtëpi. Autoritetet lokale po shqyrtojnë plane evakuimi nëse qyteti do të bëhet i pabanueshëm.

Dyzet për qind e infrastrukturës energjetike të vendit është dëmtuar, dhe shumë industri kanë pësuar sulme kibernetike shkatërruese. Ndërprerja e energjisë do të sjellë mungesë të ujit, duke shkaktuar probleme me ujërat e zeza, gja që do të përhapë sëmundje infektive.

Në fund të tetorit, shërbimet e inteligjencës së Ukrainës zbuluan komplotin e Rusisë për të hedhur në erë digën hidroelektrike Nova Kakhovka, për të shkaktuar një përmbytje të madhe në Ukrainën Jugore. Nëse kësaj do t`i bashkohej përdorimi i një “bombe të pistë” në Kherson, një pjesë e madhe e vendit do të shndërrohej në një katastrofë mjedisore. Objektivi kryesor në këtë fazë të luftës është popullsia, gjendja e saj psikologjike dhe vullneti i saj për të luftuar.

Zërat rreth përkeqësimit të gjendjes fizike dhe mendore të Putinit – që nga tiroidja te kanceri i pankreasit, Parkinsoni, një sëmundje mendore misterioze e shkaktuar nga izolimi i lidhur me COVID-in etj. – vazhdojnë që të qarkullojnë. Por është e pamundur, madje edhe për inteligjencën amerikane, të vlerësohet me saktësi të madhe shëndeti i Putinit.

Putin merr masa ekstreme – përfshirë ruajtjen e jashtëqitjes dhe urinës kur udhëton jashtë vendit – për të ruajtur informacionet mbi shëndetin e tij. Nuk ka asnjë provë të besueshme se Putini vuan nga ndonjë sëmundje kronike si kanceri. Përkundrazi, Putini duket “tërësisht shumë i shëndetshëm”, siç vlerësoi së fundmi drejtori i CIA-s, Uilliam Bërns.

Dy javë më parë, lideri autoritar rus mbajti një fjalim 3-orësh, përfshirë një sesion me pyetje dhe përgjigje, në konferencën vjetore ndërkombëtare të “Klubit Valdai” të organizuar nga Rusia. Putini u shfaq mendërisht i kthjellët, i fuqishëm, i sigurt dhe dukej se gëzonte shëndet të plotë. Nuk ka asnjë provë të besueshme që sugjeron rënien e afërt të regjimit të Putinit, pra rrëzimin e tij apo pensionimin në një sanatorium.

Putini po përgatitet për një luftë të gjatë dhe madje gjithëpërfshirëse, duke i paraprirë ndërhyrjes së NATO-s.

Moska ka mobilizuar 318.000 burra të tjerë, dhe ka futur trajnimin bazë ushtarak në shkollën e mesme. Ajo e ka zgjeruar bashkëpunimin ushtarak me Iranin dhe Korenë e Veriut për të rimbushur depot e saj të armatimeve.

Rusia është duke ngritur vendstrehime, trajnuar policinë për protokollet e kohës së luftës, dhe duke kryer stërvitje evakuimi emergjent. Zgjidhja e administratës Bajden për problemin Rusi-Ukrainë ka qenë goditja e Rusisë me më shumë sanksione, privimi i ndonjë oligarku tjetër rus nga jahtet apo pallatet e tij, dhe dërgimi i miliardave ndihmë në Ukrainë.

Por kjo është një qasje naive dhe e thjeshtëzuar. Çështja e kontrollit mbi hapësirën post-sovjetike është acaruar që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991 dhe balanca e fuqisë në Euroazi është kontestuar për shekuj me radhë.

Pra, fitorja nuk është shumë afër, dhe as nuk do të përcaktohet nga presidenti Bajden.

Fakti që establishmenti i Uashingtonit po e tërheq Amerikën në një eksperiment tjetër gjeopolitik, ndërsa ukrainasit po masakrohen dhe vendi i tyre po shkatërrohet, është diçka e papërgjegjshme dhe e rrezikshme. Pasi kemi përballë një fuqi bërthamore, e cila është e predispozuar për të menduar për skenarin më të keq, dhe që në rastin më të keq do të synojë t’i përdorë ato përpara se të pranojë humbjen në Ukrainë.

Rebekah Koffler, drejtuese e “Doctrine & Strategy Consulting”, ish-oficere e inteligjencës në DIA dhe autore e librit “Manuali i Putinit: Plani sekret i Rusisë për të mposhtur Amerikën”.

Burimi: Fox News