MENU
klinika

Erdogan merr vendimin

Turqia nis të paguajë në rubla për gazin rus

08.11.2022 - 14:40

Turqia ka filluar të paguajë në rubla një pjesë të gazit natyror nga Rusia. Rubla është monedha zyrtare e Rusisë. Kështu tha të martën ministri turk i Energjisë, Fatih Donmez.

Në një intervistë për transmetuesin TRT, ai tha se në muajt e ardhshëm pjesa e pagesave në monedhën vendase në importet e energjisë ruse do të rritet.

Rusia, e goditur nga sanksionet perëndimore për pushtimin e saj në Ukrainë, po kërkon gjithnjë e më shumë nga blerësit e energjisë së saj të paguajnë në rubla për të ndihmuar në forcimin e monedhës së saj.

Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare të energjisë bëhen në dollarë amerikanë ose euro.

Turqia është zotuar se gradualisht do të nisë që të paguajë me rubla për importet e energjisë ruse. Ky zotim u bë në samitin midis Erdoganit dhe Putinit në Soçi në muajin shtator.

Vitin e kaluar, importet ruse përbënin pothuajse gjysmën e blerjeve të Turqisë të gazit natyror.

Erdogan ka mbajtur raporte të mira pune me presidentin rus, Vladimir Putin, teksa ka tentuar që të qëndrojë neutral sa i përket konfliktit, por ka furnizuar Ukrainën me armë dhe dronë luftarakë.

Bashkimi Evropian, i cili më parë mbështetej tek Rusia për rreth 40 për qind të nevojave për gaz, po kërkon të hiqet dorë nga energjia ruse pas pushtimit të Ukrainës në shkurt./REL