Gert Shehu, i riu që qëlloi me grusht kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, do t’i nënshtrohet një tjetër ekspertimi mendor për të vërtetuar nëse kartela e nxjerrë për të është e vërtetë. Pritet që të depozitohet një kërkesë zyrtare pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe deri në rastet kur përcaktohet gjendja e tij.
Pas depozitimit të kërkesës për riinspektimit përcaktohet data dhe dita kur do mblidhet komisioni i përbërë nga 2 apo 3 anëtarë me psikiatër të vetë Institutit të Mjekësisë Ligjore apo edhe me psikiatër të jashtëm ku përcaktohet diagnoza e 31-vjeçarit. Në rastin kur përcaktohet se 31-vjeçari përbën rrezikshmëri për persona të tjerë pranë tij, atëherë kërkohet rehabilitimi i 31-vjeçarit ose dhe trajtimi i tij me medikamente.
Në rast se do të vendoset për rehabilitimin e tij, do të duhet të zgjidhet mes Vlorës, Elbasanit, ose dhe pranë Psikiatrisë të QSUT.
Gerti Shehu, 31-vjeç sulmoi kreun e PD-së Sali Berisha, teksa ky i fundit ishte duke marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të marrë pjesë në protestë. 31-vjeçari goditi me grusht në fytyrë Berishën duke e gjakosur. Ai u ndalua menjëherë nga truprojat e Berishës dhe ndërkohë u dhunua nga mbështetës dhe simpatizantë të PD-së. 31-vjeçari u shoqërua nga policia dhe mori mjekim në spitalin e Traumës, pasi ka dëmtime në fytyrë dhe fraktura në hundë. Oficerët kanë tentuar dy herë për të marrë në pyetje të riun, por për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai nuk ka dhënë deri tani asnjë dëshmi. Dyshohet se 31-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.