Bota duket si një vend më i qetë pas takimit të G-20 në Bali në mes të nëntorit. Pyetja është pse.
Ne e dimë se presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti kinez Xi Jinping zhvilluan një takim personal tre-orësh që shkoi mirë, pavarësisht nga dallimet e tyre të shumta në politika dhe antagonizmi në rritje i vendeve të tyre.
Ishte gjithashtu e dobishme që presidenti rus Vladimir Putin nuk shkoi dhe se lufta e Rusisë në Ukrainë nuk i ndikoi diskutimet kino-amerikane.
Në fakt, G-20 publikoi një deklaratë duke deklaruar se, “Shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë”.
Kryeministri indian Narendra Modi dhe Xi gjithashtu patën një takim relativisht të suksesshëm në Bali.
Dy liderët buzëqeshën dhe shtrënguan duart, gjë që ishte një përmirësim domethënës nga takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në shtator, kur ata mezi shiheshin me sy.
Pra, kushtet në Bali ishin të përshtatshme për diplomaci serioze. Por si lindi kjo atmosferë dhe a parashikon rezultate dhe marrëveshje pozitive?
Pyetja e parë është relativisht e lehtë për t’u përgjigjur. Indonezia, vendi pritès, punoi me vendosmëri, si në mënyrë të dukshme ashtu edhe në prapaskenë, për të siguruar që samiti të mos dështonte.
Kultura ka rëndësi për diplomacinë dhe presidenti indonezian Joko Widodo mishëron elementet “të buta” dhe të sofistikuara të kulturës dominuese javaneze të Indonezisë, e cila vlerëson musyawarah dhe mufakat (konsultim dhe konsensus).
Për të parandaluar që lufta në Ukrainë të prishë samitin, ai vizitoi Putinin dhe Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në kryeqytetet e tyre. Në këtë rast, kjo shfaqje respekti u shpërblye: Duke mos u paraqitur në Bali, Putini demonstroi një gatishmëri për të mos i vështirësuar jetën Jokowi-t.
Diplomatët perëndimorë, gjithashtu, shpesh nuk arrijnë të kuptojnë ose vlerësojnë këtë anë të paprekshme të diplomacisë, duke reflektuar një tendencë të fortë drejt gjykimeve bardh e zi.
Zelensky është i mirë, Putini është i keq dhe të gjitha konsideratat e tjera duhet të nisen nga kjo. Në një kohë kur Perëndimi po i shmanget dhe po izolon Putinin, Jokowi i dha atij respektin që ai dëshiron. Po kështu, teksa diplomatët perëndimorë priren të bëjnë kontrastin midis sistemeve politike (demokracitë janë të virtytshme dhe autokracitë janë të liga), Jokowi trajtoi Biden dhe Xi me respekt të barabartë.
A ka kjo qasje mësime më të gjera për çështjet ndërkombëtare?
Përgjigja varet nga gjykimet tona për rendin botëror që duket se po shfaqet. Që nga “Fundi i historisë” në 1989, Perëndimi ka supozuar se zhvillimet globale përgjithësisht shkojnë vetëm në një drejtim: Drejt demokracisë së stilit perëndimor me ekonomi tregu të stilit perëndimor.
Në fakt, ne po hyjmë në një epokë që do të jetë multipolare, multi-civilizuese, dhe rrjedhimisht shumëpalëshe.
Në një botë kaq komplekse, përshkrimet bardh e zi pothuajse gjithmonë do të rezultojnë të jenë shumë të thjeshta. India, për shembull, është një aleat i rëndësishëm i Perëndimit, edhe pse Modi nuk do të shihet kurrë me një kostum biznesi perëndimor dhe ankohet për “mentalitetin e skllevërve”.
Dramat javaneze (të cilat janë huazuar nga mitologjia hindu) paraqesin një gamë të gjerë personazhesh që nuk janë thjesht e mira dhe e keqja. Një avantazh i madh i këtij botëkuptimi është se krijon më shumë mundësi për palët rivale që të kërkojnë paqe ose të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Siç duket, është politikisht e paimagjinueshme që Sekretari i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken të vizitojë Teheranin ose Phenianin për të biseduar drejtpërdrejt me udhëheqësit iranianë ose koreano-veriorë dhe evropianët po bëhen po aq alergjikë ndaj idesë së vizitës në Moskë.
Megjithatë, ky është pikërisht lloji i fleksibilitetit që na nevojitet nëse do të ruajmë paqen dhe stabilitetin relativ në shekullin e njëzet e një.
Përtej samitit të fundit të G-20, qasja me mendje të hapur javaneze është dëshmuar gjithashtu efektive në laboratorin më të vogël shumë-civilizues të Azisë Juglindore.
Asnjë rajon tjetër në Tokë nuk krenohet me një diversitet të tillë. Popullsia e Azisë Juglindore prej 685 milionë banorësh ka 240 milionë myslimanë, 140 milionë të krishterë, 200 milionë budistë, e kështu me radhë. Megjithatë, për shkak të kontributeve të etikës javaneze brenda Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), rajoni ka mbetur paqësor.
Në përgjithësi, parimet e musjawarah dhe mufakat kanë mbizotëruar.
Ndërkohë që mund të imagjinohet lehtësisht Indonezia që e trajton Timorin si një lloj “Kosove”, një territor kombëtar që është “humbur”, në vend të kësaj ajo përkrah aplikimin e atij vendi për anëtarësim në ASEAN.
Një zemërgjerësi e tillë është e mangët në komunitetin tonë ndërkombëtar të përçarë.
Ne të gjithë mund të përfitojmë duke mësuar një ose dy mësime nga kultura dhe trashëgimia javaneze.
Kjo do të ndihmonte të qetësonte një botë të trazuar, ashtu siç bëri Jokowi në Bali.
Kishore Mahbubani, një bashkëpunëtor i shquar në Institutin Kërkimor të Azisë në Universitetin Kombëtar të Singaporit, është bashkëautor i “Mrekullia Aziatike: Një katalizator për paqen”.
Burimi: Project Syndicate
Përktheu dhe përshtati: Konica.al