Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me incidentin e shënuar mëngjesin e sotëm në vendin e quajtur “Shkëmbi i Dudës” në Mitrovicën e Veriut. Në njoftimin e Policisë thuhet se përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime. Githashtu njoftohet se rasti është duke u hetuar.
“Bazuar në informacionet zyrtare, në mëngjesin e hershëm është raportuar se në lokacionin e quajtur ‘Shkëmbi i Dudës’ në Mitrovicën e Veriut janë djegur dy mjete të rënda (kamionë), të cilët kanë qenë të vendosur në barrikadë. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për lëndime, përderisa rasti është duke u hetuar”, thuhet në njoftim.
Barrikadat në veri, që u bënë pengesë për lirinë e lëvizjes, duket se po numërojnë orët e fundit. Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet presidenti serb, Aleksandër Vuçiç i cili dha një afat kohor deri të premten mbrëma se kur do të mund të hiqen. Më herët Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse nuk hiqen barrikadat, institucionet e Kosovës do të veprojnë për shkak se sipas saj, sa më shumë që të mbesin barrikadat aty, aq më shumë po rrezikohet jeta e qytetarëve. Këto deklarime erdhën pas ndryshimit të masës së sigurisë për ish-policin Dejan Pantiç, i cili u arrestua më 10 dhjetor si i dyshuar për terrorizëm dhe sulm ndaj institucioneve të Kosovës. Pushteti akuzoi gjyqësorin për ndryshimin e masës, ndërsa opozita fajësoi qeverinë për marrëveshje të fshehtë me Serbinë.