Ditën e sotme janë bërë dy vite nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i “Policisë së Shtetit.
Rasha u ekzekutua në 8 Dhjetor të vitit 2020, pak pas mesnate në afërsi të banesës së tij në zonën e Laprakës nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj.
Gjithçka ndodhi gjatë kohës që ishin në fuqi kufizimet anti-Covid të vendosura nga qeveria dhe Rasha kushte “thyer” orën policore, një veprim të cilin e pagoi me jetën e tij.
Dy oficerë i kërkuan Rashës të ndalojë dhe në momentin që ai ikën me vrap, njëri prej tyre, Nevaldo Hajdaraj, i vihet nga pas, por në një moment rrëzohet. Më pas ulet në gjunjë, e shënjestron dhe e qëllon pas shpine 25-vjeçarin.
Pas të shtënave Klodiani vrapon dhe tre hapa dhe rrëzohet dhe brenda disa sekondave ndërron jetë në vend.
Më 14 korrik Gjykata e Tiranës ka dënuar me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn për ngjarjen e ndodhur.
Ai fillimisht u akuzua për “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” por më pas, nga pamjet filmike dhe provat e administruara prokuroria e Tiranës, vepra për efektivin u riklasifikua për “Vrasje me dashje”.
Apeli i Tiranës ndryshoi vendimin e shkallës së parë, duke e dënuar Hajdarajn me 18-vite burg, nga 15 që kishte dhënë shkalla e parë.
Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Hajdarajt i ulet dënimi me 1/3, ku në përfundim ish-efektivi do të vuajë 12 vite heqje lirie, nga 10 që parashikonte shkalla e parë.
Kujtojmë se pas vrasjes së Klodian Rashës vendi u përfshi në protesta, që kërkonin drejtësi për krimin e ndodhur dhe që u mbyllën me dorëheqjen e ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj.