MENU
klinika

U përplas për vdekje nga 26 vjeçari shqiptar

E ëma e studentes greke: Shteti e ka toleruar!

09.12.2022 - 20:35

Prindërit e studentes greke që u përplas për vdekje nga një makinë që drejtohej nga 26 vjeçari shqiptar, kanë akuzuar gjykatën për lirimin e tij. Ngjarja e rëndë ka sjellë një tronditje tek prindërit e 21 vjeçares Emanuela, të cilët kanë kërkuar dënimin e shqiptarit i cili fillimisht u largua nga vendngjarja dhe më pas u vetëdorëzua një ditë më vonë, për t’u lënë në burg nga gjykata e Selanikut.

E ëma e të resë që ndërroi jetën në aksidentin tragjik tha se ishte tepër e vështirë për ta të vazhdonin jetën si më parë.

“Nuk di si ta përshkruaj me të vërtetë. Është e padurueshme. Ndonjëherë situata më duket e pajetueshme, ndonjëherë e jetueshme. Ndonjëherë mendoj se do ia dal. Nuk mund ta përshkruaj”- u shpreh e ëma e viktimës e cila shtoi se ligjet e vendit nuk po zbatoheshin për të mbrojtur shtetasit grekë.

Ndërsa kërkoi dënim maksimal të shqiptarit, për të cilin tha se kishte helmuar fëmijë duke shitur drogë, pasi më parë kishte qenë nën hetim për trafik droge. Ajo shtoi se shqiptari ishte i lënë i lirë me tolerancën e shtetit.

“Njeriu që vrau fëmijën tim ishte hetuar më parë sepse kishte helmuar fëmijë me drogë. Ai nuk kishte as patentë shofer. Ai nuk kishte letra dhe ishte flamur për trafik droge. Ai ishte i lirë me tolerancën e shtetit”-mësohet të ketë thënë e ëma e të ndjerës për mediat greke.

Ndërsa shqiptari, pasi u dorëzua në polici tha se nuk dëshironte të jepte shpjegime lidhur me ngjarjen por ngushëlloi familjarët e viktimës.

“Nuk është koha që unë të jap shpjegime”, tha i riu.

Ndaj shqiptarit rëndojnë disa akuza, si aksident me pasojë vdekje, largim nga vendngjarja dhe drejtim mjeti pa patentë. Ai rrezikon të dënohet deri në 15 vite burg. Gjithashtu 26-vjeçarit iu dha vendimi për dëbim nga vendi pasi u konstatua se qëndronte në Greqi në mënyrë të paligjshme.