MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Erdogan nuk e meriton një mandat tjetër…

20.12.2022 - 08:30

Gjykatat në Turqi përgjithësisht iu binden dëshirave të presidentit autoritar të vendit, Recep Tayyip Erdoğan.

Kjo nuk është befasuese, duke pasur parasysh spastrimet e tij të gjyqtarëve dhe prokurorëve gjatë dy dekadave të tij në pushtet. Kështu, vendimi i gjykatës i javës së kaluar që dënoi kryetarin e opozitës së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, me më shumë se dy vjet burg dukej e pritshme.

Që ky vendim ishte i motivuar politikisht, dihet.

Shumë pak gjëra ndodhin në Turqinë e Erdoganit pa drejtimin apo pëlqimin e tij.

Për Erdoganin, politika është personale – dhe İmamoğlu përfaqëson ndoshta kërcënimin më të madh për mundësitë e tij për rizgjedhje në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

İmamoğlu e ka mposhtur presidentin një herë.

Në vitin 2019, ai triumfoi në garën e rikandidimit të Stambollit për kryetar bashkie pasi partia qeverisëse e Erdoganit AKP refuzoi, ashtu si Trump, të pranonte fitoren e tij fillestare.

İmamoğlu i përshkroi zyrtarët e zgjedhjeve pro-qeveritare që urdhëruan rivotimin si “budallenj”, një vërejtje që e çoi atë në gjykatë.

Ai do të apelojë, por është e qartë se Erdogan dëshiron që ta heqë qafe.

Mijëra mbështetës dolën në rrugët e Stambollit, duke u zotuar t’i japin fund epokës së Erdoganit.

Fatkeqësisht, kjo është shumë më e vështirë të bëhet, sesa të thuhet.

Partia kryesore e opozitës, Partia Popullore Republikane, së cilës i përket İmamoğlu, ka tashmë një lider kombëtar – Kemal Kılıçdaroğlu – i cili synon të kandidojë për president. Aleanca e gjashtë partive opozitare është e përçarë lidhur me personin që do të mbështesë. Disa favorizojnë kryebashkiakun e Ankarasë, Mansur Yavaş. Si ai ashtu edhe İmamoğlu mendohet të fitojnë një balotazh të raundit të dytë kundër Erdoganit.

Sfida ndaj sundimit të Erdoganit mund të komplikohet më tej nga zgjedhjet e njëkohshme parlamentare të vitit 2023.

Një sondazh i kohëve të fundit tregoi se opozita nuk mund të fitojë një shumicë pa mbështetjen e partisë pro-kurde Popullore Demokratike. Por një gjykatë do të vendosë muajin e ardhshëm për ndalimin e partisë për lidhje të dyshuara me terrorizmin.

Erdogan nuk meriton një mandat tjetër.

Rënia ekonomike duhet të jetë arsye e mjaftueshme për ta fundosur atë. Inflacioni është rritur dhe standardet e jetesës janë ulur, ndërsa lira ra në një nivel të ulët rekord ndaj dollarit javën e kaluar.

Pasi ka ideuar një presidencë ekzekutive të plotfuqishme dhe ka dominuar politikëbërjen, për këtë ai ka përgjegjësi.

E dëshpëruar për të rifituar votuesit, AKP thuhet se ka në plan të rrisë përfitimet e pensionit dhe pagën minimale. Fatkeqësisht, një nga fushat e pakta ku Erdogan mund të pretendojë sukses ekonomik janë eksportet në Rusi.

Duke anashkaluar sanksionet e vendosura nga NATO-ja dhe aleatët evropianë, tregtia e Turqisë me Moskën është rritur me 198% që nga pushtimi i Ukrainës.

Kjo është një nga arsyet pse qeveritë perëndimore nuk do të mërziten aspak për ”vdekjen politike” të Erdoganit.

Ai shihet si një ngatërrestar brenda NATO-s, jo vetëm për shkak të marrëveshjeve të dyshimta me Vladimir Putin. Vendimi i Erdoganit për të blerë raketa ruse tokë-ajër që mund të rrëzonin aeroplanët e NATO-s shkaktoi një mosmarrëveshje me SHBA-në.

Erdogan po kërcënon se do të sulmojë sërish kurdët në veri të Sirisë.

Marrëdhëniet me BE-në janë komplikuar nga deficiti demokratik i Turqisë, mosmarrëveshjet për refugjatët dhe qëndrimi agresiv i Ankarasë ndaj Qipros dhe Greqisë.

Perspektivat e anëtarësimit të saj mbeten të zymta. Ndërkohë, ajo ende po bën pazare për aplikimet e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Ndërsa shumë do të mirëprisnin rënien e Erdoganit, turqit kanë më shumë për të fituar.

Axhenda e tij neo-islamiste, autoritarizmi dhe abuzimet e panumërta të lirive civile përbëjnë një tradhti të trashëgimisë laike demokratike të Ataturkut.

İmamoğlu dhe opozita duhet të bashkohen për ta mposhtur atë në kutinë e votimit.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nëse fiton në zgjedhjet e vitit 2023, atëherë...

A e ka arritur Erdogan të ndërtojë “Turqinë e Re”?