“Evropa ka filluar ngritjen e murit në të gjithë Poloninë, Finlandë, Estoni, Letoni, Lituani dhe do të zbresë poshtë në Evropën Juglindore për t’u rrethuar kontinenti evropian nga Azia dhe Afrika.”
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në një intervistë për Euronews Albania, teksa shtoi se një nga arsyet pse do të mbahet Samiti BE-Ballkani Perëdnimor më 6 dhjetor në Tiranë, është emigracioni dhe vendosja e një muri deri në Ballkan.
“Shekulli i 21-të ka shkaktuar një lëvizje emigracioni tektonike, i cili po imponon një rend të ri botëror. Bashkimi Evropian dhe kontinenti evropian rrezikojnë të shpërbëhen. Pse? Nga dyndja afrikane, dyndja arabe, dyndja aziatike. A e dini çfarë bëhet apo jo? Në një shtet në të cilin vijnë 1.2 milionë emigrantë brenda një muaji vetëm nga Ukraina. Po t’i mbledhësh këta njerëzit nga Ballkani, nga vendet arabe, nga Siria, nga vendet afrikane, nëse shkoni në kryeqytetet evropiane, Paris, Bruksel, AMsterdam, Berlin nuk do e kuptoni nëse jeni në Afrikë, Azi apo Evropë.
Regjimet politike janë totalisht të papërgatitura për këtë situatë dhe kjo mund të shkaktojë shpërbërjen e BE-së, ose vendosjen e një muri. E dini pse do vijnë liderët evropianë? Ballkani shumë shpejt do i nënshtrohet vendosjes së një muri. Çështja është, do jemi brenda murit apo jashtë murit? Evropa ka filluar ngritjen e murit në të gjithë Poloninë, Finlandë, Estoni, Letoni, Lituani dhe do të zbresë poshtë në Evropën Juglindore për t’u rrethuar kontinenti evropian nga Azia dhe Afrika. Ashtu siç ka SHBA murin me Meksikën, do vendoset mur evropian”, theksoi ai.