Është ndarë nga jeta në moshën 65 vjeçare legjenda e portës së Elbasanit, Bujar Gogunja. Ish-gardiani shqiptar vuante nga një sëmundje e rëndë. Bujar Gogunja mbajti për 1037 minuta të paprekur portën e Labinotit (Elbasanit të sotëm).
Gogunja, i pozicionuar i 38-ti në listën e IFFHS-së, mban edhe rekordin e të gjitha kohërave të pathyeshmërisë për kampionatin shqiptar të futbollit. Portieri (i lindur më 1957-ën), i cili për më shumë se 11 vjet (1974-1985) mbrojti katërkëndëshin e Labinotit, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fitimin e titullit të parë kampion të verdhebluve në sezonin 1983-1984.
Ai e mbajti të paprekur rrjetën e portës së tij në 11 takime radhazi, por në minutën e 43-të ndeshjes së 12-të, ishte Genc Tomori i Partizanit, ai që me golin e tij ndërpreu “tragjikisht” rekordin absolut në Shqipëri të Bujarit.
Në kampionatin e sezonit 1983-1984, Elbasani në 26 ndeshje pësoi në total 14 gola, 15 fitore, 7 barazime, 4 humbje, 37 pikë. (Atëherë një fitore vlerësohej 2 pikë). Gogunja, ish-portier dhe trajner, ka lënë pas në renditje Peter Çeh të Çelsit, i cili për momentin etiketohet si një ndër portierët më të mirë të botës.