MENU
klinika

Ish-portieri i Kombëtares

Futbolli në zi, ndahet nga jeta Mikel Janku

10.01.2019 - 11:27

Një lajm i hidhur është shpërndarë mëngjesin e ditës së sotme në kryeqytet, që peshon shumë sidomos për botën tonë të futbollit dhe gazetarinë sportive.

Ish-portieri i Partizanit dhe i Kombëtares Shqiptare, ish-gazetari dhe drejtuesi për disa vite i gazetës “Sport Ekspres”, opinionisti i njohur sportiv, Mikel Janku, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

I lindur më 25 tetor 1941, ai ka qenë portier i Partizanit dhe i Kombëtares së Shqipërisë në periudhën 1962-1969 dhe 1964-1967.

Ishte i pari i katër vëllezërve dhe, pavarësisht shtatit jo fort të lartë, Mikel Janku ia doli të spikaste si portier elastik, akrobat dhe mjaft modern për kohën, kur luajti.

mikel janku
mikel janku

Te “demat e kuq” pati fatin të gjente dhe të luante me një kolos të portës shqiptare, Sulejman Maliqatin. Në prill të vitit 1962, në Kupën e 60-Vjetorit të Çlirimit, në stadiumin “Dinamo”, Janku bëri debutimin me Partizanin.

Pa pasur shumë përvojë në futbollin elitar shqiptar të kohës, pa asnjë ndeshje të plotë aktivizim, debutoi edhe në Kupën e Kampioneve, kur ishte vetëm 21 vjeç. Në shtator 1964, legjenda “Maliqati” i “vari dorezat në gozhdë” dhe më tej, porta e kuqe do të kishte për protagonist Mikel Jankun.

Vlen të theksohet se familjarisht, dinastia “Janku” ishte e lidhur me Partizanin. Të katër vëllezërit kanë përfaqësuar një klub të vetëm, atë të kuq; si Mikeli, Virgjili, Agimi dhe Vladimiri.

Duke mos iu venitur aspak dëshira dhe pasioni për futbollin, edhe kur nuk kishte mundësinë ta luante atë, Mikeli dha kontributin e tij të madh për këtë sport edhe nga “katedra”.

mikel janku
mikel janku

Më konkretisht, e bëri këtë në rolin e opinionistit dhe gazetarit sportiv. Ahmet Shqarri, që krijoi emisionin e famshëm sportiv radiofonik “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, do ta afronte Mikelin në vitet ‘80 pranë mikrofonit të “Radio Tiranës”. Ai qe për gati 10 vite opinionist kryesor në këtë emision, përkrah emrave të tillë si Ismet Bellova, Veli Rada etj.

Bashkë me Fatmir Mnerin ideojnë dhe nxjerrin për botim gazetën sportive “Sport Ekspres”. Epoka më mbresëlënëse e tij në gazetarinë sportive u fiksua nën këtë logo, në rolin e zv.kryeredaktorit, për vite me radhë, ku analizat e tij të mprehta, jo vetëm plot stil, por edhe me thellësi profesionale, mezi priteshin të lexoheshin.

Janku fitoi i pari çmim “Anton Mazreku”, që jepet vit për vit për gazetarët e spikatur sportivë.

Një humbje e madhe për futbollin shqiptar, gazetarinë sportivë, ndaj “Konica.al” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, duke iu gjendur pranë në këtë moment të vështirë, humbjes së njeriut të dashur. I përjetshëm qoftë kujtimi Yt, Mikel Janku! U prehsh në paqe!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN