I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkaura të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përsëritur thirrjet se është kundër vendosjes së ushtrisë serbe në Kosovë.
“Nuk duhet ta militarizojmë këtë krizë. Kjo nuk është kohë për të përdorur ushtrinë. Kjo është kohë për ta përdorur diplomacinë, dialogun dhe kompromisin”, ka thënë Escobar.
Komentet Escobar i ka bërë gjatë një interviste për televizionin serb N1, ku ka sqaruar se deklarata e tij e ditëve të fundit se “Kosova ka garanci sigurie nga SHBA”, nuk është kërcënim për Serbinë.
Sipas tij, të njëjtat garancione amerikane, vlejnë edhe për serbët e veriut të Mitrovicës, ku shtoi se SHBA nuk do të lejojë askënd në Kosovë që ta rrezikoj Serbinë.
“S’do të lejojmë që dikush nga Kosova ta rrezikoj Serbinë dhe sigurinë e stabilitetin në veri të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme për situatën e tensionuar në veri të Kosovës do të ndihmonte në paqen e gjithë rajonit të Ballkanit.
“Nuk dua të hyj në detaje të bisedës, por më duhet të them se ka elementë për optimizëm. Përveç kësaj, dua të them se ne nuk kemi nevojë vetëm për një zgjidhje të kësaj krize aktuale, ne kemi nevojë për një zgjidhje të qëndrueshme në kontekstin e situatës rajonale. Ne duam ta kthejmë këtë krizë në një mundësi jo vetëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për të gjithë rajonin”, theksoi Escobar.