Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbërritur pak më parë në Tiranë, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje historike që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe po ashtu për herë të parë jashtë Brukselit.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, Meloni u është drejtuar gazetarëve dhe ka thënë se Evropa ka përgjegjësi të mëdha ndaj Ballkanit Perëndimor, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.
“Kemi përgjegjësi të madhe kundrejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos më shumë edhe pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Është shumë e rëndësishme të forcojmë procedurën për anëtarësimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.
Ka shumë çështje për të cilat duhet të punojmë së bashku, për ekonominë, sigurinë kibernetike. Italia është plotësisht e përkushtuar. Do përpiqemi të bëjmë maksimumin, për shumë çështje që kemi, roaming. Siç e dini, mund të mbështeteni për këtë te Italia”, u shpreh kryeministrja Meloni.
Shtatë janë çështjet më thelbësore që do të diskutohen në samit, ku sikurse në samitet e shkuara të BE-s, kryefjalë mbetet konflikti në Ukrainë.
Pasojat e agresionit rus në Ukrainë; Intensifikimi politik dhe politikat e zgjerimit; Shtimi ndërtimit të sigurisë nga influencat e huaja; Sfidat e emigracionit, lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar; Shtimi bashkëpunimit në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike; Efektet negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor; Heqja e Roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.