Mbi 55 mijë anëtarë të Partisë Demokratike dhe simpatizantë të PD-së morën pjesë dje në primare për të zgjedhur kandidatin që do të rivalizojë kundërshtarin politik, që do dalë nga Partia Socialiste në 61 bashkitë e vendit. Procesi nisi në orën 8:00 të ditës së diel dhe përfundoi në orën 18:00 në shumicën e bashkive.
Ndërkohë, në Kamzë, e Tiranë procesi vijoi edhe pas orës 18:00 për shkak të fluksit të votuesve. Procesi kaloi pa incidente, por nuk munguan kontestimet dhe dorëheqjet para se të përfundonte procesi i votimit. Në Kamzë, kandidati Shemsi Premçi u tërhoq nga gara me pretendime se procesi nuk ishte i rregullt. “Të nderuar demokratë të Bashkisë Kamzë-Paskuqan!
Me keqardhje ju njoftoj se po konstatojmë se në listat zgjedhore të primareve ka më shumë anëtarë dhe drejtues të strukturave të Partisë Socialiste se anëtarë dhe drejtues të strukturave të Partisë Demokratike”, reagoi Premçi. Ndërkohë, i pyetur nga gazetarët në lidhje me këto pretendime, kryetari i PD, Sali Berisha, u shpreh se ky ishte procesi më demokratik, por nuk ishte perfekt.
“Në këtë kontekst unë kam bindjen se çdo anëtar dhe anëtare e PD-së, simpatizantë të saj, ndihen më të lirë, ndihen më dinjitozë, më të motivuar, se kurrë në idealet e tyre demokratike. Kam bindjen se ata vlerësojnë këtë ndryshim madhor të PD-së, këtë proces me të cilin kjo forcë politike përmbysi përfaqësimin, procedurën e përfaqësimit dhe zgjedhjes së drejtuesve partiakë, qeveritarë vendosë të saj. Në të gjitha këto procedura, sovrani për PD-në ishte anëtarësia, nuk ishte as kryetari dhe as kryesia. Pra, vendoset në këtë mënyrë një standard demokratik i paparë më parë në Shqipëri, çka e bën sot PD-në forcën më të fuqishme politike të Shqipërisë, forcën më të përkushtuar për lirinë dhe të drejtat e anëtarëve të saj dhe nesër në pushtet të qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.
DEPUTETËT QË LËNË MANDATIN
Ndërsa Tirana do të shkojë në një raund të dytë të votimeve, tashmë kemi dy deputetë të PD, të cilët do të lenë mandatin e deputetit për të marrë një tjetër sfidë përsipër, atë të pushtetit Lokal. Luçiano Boçi është kandidati zyrtar i PD për zgjedhjet lokale të 14 majit në Bashkinë e Elbasanit. Ndonëse ishte i vetëm në garë, ai mori një numër të konsiderueshëm votash konfirmuese. “Falënderime votuesve anëtarë të PD dhe simpatizantëve që sot me votën e tyre më dhanë privilegjin dhe përgjegjësinë të jem kandidat për Bashkinë Elbasan. Së bashku do të nisim rrugëtimin e fitores për t’i dhënë Elbasanit politikën e munguar njerëzore dhe dinjitarë”, shkroi Luçiano Boçi në përfundim të procesit të votimit.
Ndërkohë, mandatin e deputetit do ta lërë edhe Zef Hila në Bashkinë e Vaut të Dejës. Ai mori dje votëbesimin e demokratëve për të garuar në 14 maj. Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zef Hila ishte deputeti i pestë i PD-së në Shkodër dhe pas tij mbeti në listën jofituese Bardh Spahia. Ky i fundit është rikonfirmuar si kandidat i PD-së për Bashkinë e Shkodrës dhe nuk ka gjasë që ai ta lërë kandidimin në 14 maj për t’u futur sërish në Parlament. Nga kjo situatë duket se do të përfitojë Lodovik Hasani, i cili me 3810 votat e mbledhura do të marrë mandatin e deputetit pasi Zef Hila të regjistrohet zyrtarisht në KQZ si kandidat për zgjedhjet lokale. Sakaq, nëse në Tiranë do të dalë fitues Belind Këlliçi, atëherë do të jetë deputeti i tretë nga radhët e PD që do të lër mandatin e ligjvënësit për garën e pushtetit lokal.
KANDIDATËT E PL
Në primare u futën edhe kandidatët e Partisë së Lirisë. Kështu, sipas rezultatit, mësohet se Partia e Lirisë do të ketë kandidatin për bashkitë Memaliaj, Skarapar, Kuçovë si dhe Suzana Topin në Përrenjas. Ndërkohë, për 4 bashki i janë lënë PBDNJ dhe në Malësinë e Madhe nuk janë zhvilluar zgjedhjet. “Duhet të kemi parasysh se në 5 bashki nuk janë zhvilluar zgjedhjet. Përafërsisht, totali i votuesve sipas pritshmërisë së komisionit është diku te 60 mijë votues, që bën diferencë të madhe me zgjedhjet e mëparshme dhe këtu dua të përmendet se në referendum kanë marrë pjesë 43800 votues, për kryetar dege rreth 40 mijë dhe në 22 maj për kryetarin e partisë 43670.
Rezultatet e para të votimit kanë filluar të dalin, jam e sigurt që për një pjesë të mirë jeni vënë në dije ni. Ne kemi filluar t’i mbledhim dhe do të ua komunikojmë në mënyrë zyrtare të fituesve, do të ua komunikojmë në vijim. Është marrë vendimi që numërimi për degët e Tiranës të bëhet i përqendruar në seli. Janë 6 tavolina numërimi, 6 grupe numërimi. Grupet e numërimit janë të përbërë nga kryetarët e degëve të Tiranës, duke menduar se kryetarët e degës kanë qenë jashtë konfliktit të interesit dhe gjatë gjithë procesit kanë ruajtur paanësinë e tyre”, deklaroi dje Albana Vokshi.
KANDIDATET E PD PER ZGJEDHJET LOKALE
Elbasan: Luçiano Boçi
Shkodër: Bardh Spahia
Durrës: Igli Cara
Vorë: Indrit Hoxha
Vau i Dejës: Zef Hila
Delvinë: Ilir Mehmeti
Përrenjas: Suzana Topi (PL)
Pukë: Rrok Doda
Kukës: Admir Sinamati
Has: Miftar Dauti
Lezhë: Pashk Gjoni
Korçë: Ledina Alolli
Dibër: Balotazh
Fier: Balotazh
Konispol: Fatmir Shero
Pogradec: Zini Tollozhina
Devoll: Elvis Hajdërlli
Divjakë: Aurel Malko
Belsh: Bedri Qypi
Peqin: Mustafa Pashaj
Berat: Zija Ismaili
Urë Vajgurore: Gent Mece
Mallakastër: Resmi Shanaj
Tepelenë: Baftjar Imeri
Selenicë: Leonard Rakipaj
Roskovec: Nerdit Hazizaj
Poliçan: Behar Xhaferraj
Memaliaj: Albert Malaj (PL)
Kuçovë: Lefter Maliqi (PL)
Skrapar: Eugen Mustafallari (PL_
Rrogozhinë: Shkëlqim Hoxha
Klos: Bedri Hoxha
Maliq: Alfred Gega
Kurbin: Behar Hoxha
Librazhdi: Balotazh
Fushë-Krujë: Balotazh
S’u zhvilluan zgjedhjet
Pustec (PBDNJ)
Finiq (PBDNJ)
Himarë (PBDNJ)
Dropull (PBDNJ)
Malësi e Madhe (Me probleme)