MENU
klinika

Ja çfarë shkruan Der Standard

MPJ gjermane: Të hiqen sa më shpejt barrikadat në veri

23.12.2022 - 17:36

Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që barrikadat në veri të Kosovës të hiqen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre.

Pas javësh përshkallëzimi, Ministria e Jashtme gjermane, në një deklaratë për gazetën “Der Standard” kërkon që “barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.- tha një zëdhënës i ministrisë.

Javët e fundit, serbët militantë nacionalistë kanë ngritur barrikada në rrugë në veri të Kosovës. Ndër të tjera ata po protestojnë kundër arrestimit të një punonjësi policie që dyshohet se ka sulmuar një qendër votimi. Të enjten pati edhe një demonstratë në veri të Kosovës, gjatë së cilës u shfaq një flamur i madh serb, vazhdon raportimi i gazetës austriake.

“Ata serbë militantë nacionalistë që ngritën barrikadat dhe organizuan demonstratën i përkasin mbështetësve të partisë Lista Srpska, e cila është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të qeverisë në Serbi. Ajo vë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës dhe monopolin e shtetit të Kosovës për përdorimin e forcës në veri të vendit”.-vijon njoftimi.

Gazeta po ashtu vë në pah edhe sulmet që mori ambasadori gjerman në Kosovë për deklaratat e tij ku kërkonte heqjen e barrikadave.

Në javët e fundit ka pasur dhunë të përsëritur kundër përfaqësuesve të institucioneve kosovare dhe gazetarëve në veri të Kosovës, ku janë shumica serbë. Është intensifikuar edhe retorika nga Beogradi. “Presidenti Aleksandar Vuçiq madje mendoi të dërgonte personel ushtarak në Kosovë” shkruan Der Standard duke iu referuar kërkesës serbe që i bëri KFOR’it. Po ashtu gazeta përmend sulmin e kryeministres serbe Ana Bërnabiq  në Twitter ndaj ambasadorit gjerman në Kosovë, Jörn Rohde. Më parë ai kishte bërë thirrje për çmontimin e barrikadave, të cilat po ashtu kanë penguar trafikun rrugor prej javësh.

Një zëdhënës i zyrës së jashtme gjermane tha për Der Standard se Rohde kishte bërë deklarata të qarta dhe “përsëri i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE”. Këto çështje janë diskutuar në takimet ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme Federale për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorit serb më 21 dhjetor në Berlin dhe mes ambasadores gjermane në Serbi dhe presidentit serb Vuçiq më 22 dhjetor në Beograd.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha gjithashtu: “Ne presim një qasje konstruktive nga Serbia. E kemi bërë të qartë në këto bisedime. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës. Kjo është në interes të popullit që jetojnë në veri. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në agjendë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të rënë dakord më 2013 dhe 2015. Ne mbështesim të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si pjesë e dialogut për të ecur përpara”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Situata në veri të Kosovës pas reciprocitetit

Bllokimi ndal procesin e vaksinimit kundër koronavirusit

Albin Kurti i shqetësuar për situatën në veri

“Rusia po nxit tensione mes Prishtinës dhe Beogradit”


"Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake"

Nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!