MENU
klinika

Pele humb betejën me kancerin

Ndërron jetë legjenda braziliane e futbollit

29.12.2022 - 21:16

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeçare legjenda e futbollit brazilian, Pele. Lajmin e trishtë e ka konfirmuar agjenti i tij, Joe Fraga.

Prej kohësh, Pele vuante nga kanceri në zorrën e trashë, ç’ka i solli dhe vdekjen. Ai ishte shtruar në spital në fillim të muajit ku po kurohej, por nuk arriti t’i mbijetonte.

Disa ditë më parë, familjarët e tij publikuan një video nga spitali, ku shihej Pele i cili ishte i shtrirë. Mediat shkruan disa ditë më parë se vetë familjarët kishin bërë përgatitjet për humbjen e 82-vjeçarit.

Pele është konsideruar “mbreti brazilian i futbollit”. Ai shënoi rekord duke fituar 3 kupa Bote me kombëtaren braziliane në vitet 1958, 1962 dhe 1970.

Në karrierën e tij nga viti 1957 në 1977, Pele ka shënuar 757 gola në 831 ndeshje. Këto janë shifra zyrtare të regjistruara, por ekipi i tij, Santos si dhe shumë burime të tjera thonë se Pele ka shënuar mbi 1200 gola.