MENU
klinika

Eurostat trondit me publikimin e shifrave

Numri i shqiptarëve që kërkuan azil më i madh se i ukrainasve

23.12.2022 - 10:47

Shqiptarët muaj pas muaji vënë rekorde për sa i përket faktit të aplikimeve për azil në një vend të Evropës.

Pas problemit madhor që u kthyen në Britaninë e Madhe, duket se shqiptarët, kanë vendosur të kërkojnë azile edhe nëpër vendet e tjera të BE, duke shënuar shifra të frikshme braktisjeje vendi. Janë mbi 1,100 persona nga Shqipëria kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Evropian në muajin shtator, sipas të dhënave të publikuara dje nga Eurostat.

Ky është niveli më i lartë i këtij viti, por mbetet më i ulët se rekordi prej rreth 1800 personash i shënuar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që ishte më i larti që pas pandemisë. Numri i aplikimeve për azil në shtator nga shqiptarët është më i lartë se i ukrainasve (870). Në total, për 10 mujorin kanë kërkuar azil në BE gjithsej 7870 shtetas shqiptarë, me një rritje prej 34% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Franca vijon të mbetet shteti kryesor që tërheq më shumë azilantë, për shkak të politikave me sociale që ajo zbaton. Në këtë shtet aplikuan rreth 54% e totalit për periudhën janar-shtator. Pas Francës, renditet Gjermania me 15% të aplikimeve në total, Italia me 11% dhe Greqia me 10%.

Gjeografia e aplikantëve është zgjeruar deri në Slloveni e Rumania, me nga 5 aplikime për secilin shtet. Që prej fundit të vitit 2019, Eurostat nuk i raporton më të dhënat e aplikimit për azil në Mbretërinë e Bashkuar, që vitin e fundit është bërë dukshëm preferenca e azilantëve. Sipas informacioneve të tjera zyrtare mbi emigracionin nga qeveria britanike, të përpunuara nga “Monitor” në periudhën janar-shtator 2022 kanë kërkuar azil në Britani 13,272 shtetas shqiptarë. Në total, duke përfshirë dhe aplikimet në BE, për përudhën janar-shtator kanë aplikuar për azil në Be dhe Mbretërinë e Bashkuar mbi 21 mijë shtetas shqiptarë, duke ia kaluar gjithë vitit 2021, kur numri i aplikimeve ishte rreth 17 mijë.

APLIKIMET NË BE
Sipas Eurostat, në shtator 2022, 89 590 aplikantë për azil për herë të parë (shtetas jo të BEsë) aplikuan për mbrojtje ndërkombëtare në Shtetet Anëtare të BE-së, që janë 11 995 persona më shumë se në muajin e kaluar, një rritje prej 15%. Krahasuar me shtatorin e vitit 2021 (62 820), ka pasur një rritje prej 43% në numrin total të kërkesave. Ashtu si në gusht 2022, në shtator, sirianët ishin grupi më i madh i personave që kërkonin azil (14 930 aplikantë për herë të parë). Ata u pasuan nga afganët (11 955), të ndjekur nga turqit (5 220), indianët (4 530) dhe venezuelasit (4 520). Pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, pati një rritje të madhe të azilkërkuesve ukrainas për herë të parë (nga 2370 në shkurt në 12 890 në mars, por shifrat kanë ardhur duke u ulur çdo muaj (nga 1 510 në prill në 870 në shtator).

KTHIMET E EMIGRANTËVE NGA ANGLIA
Më shumë se 40 persona me precedentë dhe emigrantë shqiptarë që hynë në Britaninë e Madhe me gomone, janë kthyer në vendin tonë pasi janë dëbuar nga Britania e Madhe. Me anë të një fluturimi të “Home Office”, 42 persona janë ulur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, “Nënë Tereza”, për gjatë ditës së djeshme. Sipas të dhënave, bëhet me dije se anëtarët e grupit ishin dënuar me një total prej 89 vitesh burg për vepra që përfshijnë furnizimin me drogë të klasës A dhe lehtësimin e hyrjes së paligjshme në vend.

Ata u shoqëruan nga oficerët britanikë të Emigracionit dhe në ulje u pritën nga policia shqiptare. Mendohet se ky është fluturimi i katërt në pak më shumë se një muaj që deporton shqiptarë. Në nëntor, shkelësit, të cilëve u ishte dhënë një dënim i kombinuar me më shumë se 24 vjet burg, ishin midis 26 shqiptarëve të kthyer në shtëpi. Zyra e Brendshme në Britani ka njoftuar mediat vendase se 32 nga ata që ishin në bordin e fluturimit të djeshëm ishin kriminelë të deportuar për të qenë shkelës të huaj, ndërsa gjashtë ishin azilkërkues të dështuar dhe katër ishin shkelës të azilit. Në njoftim thuhet se tre nga të dëbuarit dihej se kishin mbërritur në Britani duke kaluar Kanalin me varka të vogla.

Thuhet se në mesin e shkelësve ishin njerëz të dënuar për prodhim dhe furnizim droge, posedim të një arme fyese, vjedhje, posedim të pronës kriminale dhe dëmtim të pronës. Po ashtu, bëhet me dije se kishte gjithashtu shkelje për hyrjen në MB, ku sipas autoriteteve ishin në shkelje të një urdhri deportimi dhe posedim të një dokumenti të rremë ose të marrë në mënyrë të parregullt imigracioni. Në tetor u zbulua se 12,000 shtetas shqiptarë kishin ardhur në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin me gomone, që britanikët e qeverisë i quajnë varka.