MENU
klinika

Analiza

Problemi i vërtetë i Evropës nuk është emigrimi!

08.12.2022 - 19:15

Debatet evropiane mbi emigracionin duken sikur nuk mbarojnë asnjëherë. Ato janë shumë polarizuese dhe nxisin një spirale politikash gjithnjë e më ekstreme, të cilat synojnë që t’i mbajnë njerëzit jashtë. Për të dalë nga ky rreth vicioz, ekziston një nevojë e dëshpëruar për ta riformuluar diskutimin dhe për t’u fokusuar tek synimet e arritshme, nga të cilat do të përfitojnë si njerëzit që migrojnë po ashtu edhe vendet ku ata synojnë të arrijnë.

Le t’ia fillojmë me këtë premisë bazë: vetë emigrimi nuk është problem. Ai është një tipar i qenësishëm i shoqërisë njerëzore dhe historisë, që shpesh prodhon rezultate pozitive për ata që emigrojnë, si dhe për vendet e tyre të origjinës dhe ato ku ata shkojnë.

Problemet e vërteta që duhen adresuar janë abuzimet, rreziqet dhe privimi me të cilin përballen refugjatët, azilkërkuesit dhe emigrantët, të cilët e shohin lëvizjen e parregullt si mënyrën e vetme – ose më të mundshme – se si mund të jenë të sigurt dhe të kenë më shumë mundësi për jetën.

Prandaj reduktimi i lëvizjeve të parregullta në minimumin absolut, për t’u siguruar që të jetë sa më i vogël numri i njerëzve që përballen me këto rreziqe, duhet të jetë një pikënisje mbi të cilën të gjithë mund të biem dakord për një debat më produktiv rreth mënyrës se si të menaxhojmë migracionin. Po si mund të arrihet diçka e tillë.

Unë propozoj 5 ide, që duhet të shihen si një paketë gjithëpërfshirëse sugjerimesh të ndërlidhura midis tyre. E vetme, asnjë nga këto ide nuk do të funksiononte mirë, apo të ishte e pranueshme moralisht. Por të marra së bashku, ata tregojnë për një rrugëdalje të mundshme nga kaosi aktual që shoqëron qasjen tonë ndaj migracionit:

  1. Harmonizoni politikat e migracionit me ato ekonomike

Vendet evropiane janë përpjekur të përdorin qindra miliona euro për financimet në zhvillim për të trajtuar “shkaqet rrënjësore të migrimit të parregullt”, siç është papunësia. Në të njëjtën kohë, subvencionet dhe politikat evropiane bujqësore dhe tregtare, i kanë vënë në disavantazh prodhuesit dhe kompanitë jashtë kontinentit, duke e bërë të vështirë që njerëzit të kenë një jetesë të qëndrueshme dhe duke e shtuar presionin mbi disa për të emigruar në mënyrë të parregullt në Evropë.

Marrëveshjet e peshkimit midis BE-së dhe Senegalit, që kanë kontribuar në një rritje të emigrimit në ishujt spanjollë Kanarie që nga viti 2020, janë një shembull i mirë. Ndërkohë, vendet evropiane shpenzojnë miliona euro në përpjekje për të forcuar kufijtë e tyre, ndërsa njerëzit që mbërrijnë në kontinent në mënyrë të parregullt, përfundojnë shpeshherë në të zezë në të njëjtët sektorë bujqësorë që përfitojnë nga subvencionet që luajtën një rol në nxitjen e tyre për të emigruar.

Ky model është kontradiktor, i kushtueshëm dhe prej tij përfitojnë vetëm trafikantët. Harmonizimi i politikave të migracionit me ato ekonomike do të reduktonte presionin ndaj njerëzve për të emigruar dhe nevojën e perceptuar të vendeve evropiane për të shpenzuar shuma të mëdha parash për fortifikimin e kufijve.

  1. Shtoni emigrimin e rregullt

Vendet evropiane duhet t’i përdorin paratë për të investuar në një rritje masive të skemave inovative dhe të sigurta për migrimin e rregullt për motive punësimi. Kjo gjë mund të arrihet  duke futur skemën e “vizave premium”, që në fakt mund të kushtojnë më pak se mijëra eurot që shpenzojnë njerëzit për kontrabandistët dhe udhëtimet e rrezikshme të parregullta. Ose emigrantët e mundshëm mund të depozitojnë një shumë të konsiderueshme parash në qeverinë e vendit ku duan të shkojnë, e cila do t’u kthehet nëse do të ktheheshin sërish në vendin e tyre në fundin e një kontrate pune, duke inkurajuar kështu migrimin ciklik.

Njerëzit që nuk mund të përballojnë dot koston e një vize apo një depozite premium mund të lejohen të marrin një hua të sigurt, të cilën do ta paguanin nëpërmjet taksave që do të paguanin si punëtorë të ligjshëm. Një mundësi tjetër është krijimi i mundësive për migrim sezonal në sektorë të ndryshëm nga bujqësia dhe mikpritja.

Për shembull, shumë vende evropiane përballen me një mungesë të punonjësve të kujdesit shëndetësor. Ofrimi i mundësive të punës sezonale për profesionistët e mjekësisë nga pjesë të tjera të botës gjatë vjeshtës dhe dimrit, kur numri i rasteve ka tendencë të rritet, mund të jetë një ide e mirë, për sa kohë që bëhet në një mënyrë që nuk e redukton kapacitetin e kujdesit shëndetësor në vendet nga vijnë këta njerëz.

  1. Bëjini rikthimet më të lehta, më të sigurta dhe dinjitoze

Kur të jenë zgjeruar ndjeshëm rrugët e rregullta të emigracionit për motive punësimi, vendet e origjinës do të kenë më shumë gjasa të bashkëpunojnë për rikthimin e azilkërkuesve të cilëve u janë refuzuar kërkesat. Shtimi i qasjes më të mirë në tregjet evropiane mund të ndihmojë gjithashtu në këtë proces.

Kursimet e parave që priten të vijnë nga harmonizimi i politikave të emigracionit me ato ekonomike do të duhet të investohen në përpunimin e shpejtë, të drejtë dhe me cilësi të lartë të kërkesave të azilit, gjë që do të përfshinte të drejtën e apelimit dhe qasjen tek mbështetja ligjore falas.

Kjo do të bënte që çështjet të gjykoheshin brenda disa javëve nga mbërritja e njerëzve në Evropë, në vend të muajve apo edhe viteve që duhen aktualisht. Njerëzit, kërkesat e të cilëve refuzohen do të ktheheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, dhe kështu do të dobësohej motivimi për njerëzit me pak mundësi që të marrin udhëtime të parregullta drejt Evropës.

  1. Lejoni një lloj fleksibiliteti midis rrugëve të azilit dhe emigrimit për motive punësimi

Ndërsa rritja e numrit të azilkërkuesve të refuzuar të kthyer në vendet e tyre të origjinës

është e rëndësishme, ajo nuk duhet të jetë alternativa e vetme. Kthimet e detyruara janë të kushtueshme, dhe po ashtu edhe programet e ndihmës ekonomike për njerëzit që kthehen vullnetarisht.

Vendet evropiane duhet të krijojnë opsione të tjera për azilkërkuesit e refuzuar, duke i lejuar ata të ndryshojnë korsitë e migrimit, dhe duke hyrë në kanalet e imigracionit për punë ose leje pune nëse aftësitë e tyre përputhen me nevojat gjithnjë e më urgjente të tregut të punës në shumë vende që shërbejnë si destinacion.

  1. Decentralizimi i autoritetit tek qytetet

Kur flitet mbi politikën e refugjatëve dhe migracionit, qytetet duhet të kenë një rol më të fortë. Aktualisht ka një ndarje të fortë midis qasjes polemike, të përqendruar tek siguria ndaj migracionit në nivel kombëtar në Evropë, dhe një qasje shumë më pragmatike dhe të hapur që mbështetet nga qeveritë lokale dhe qytetet, të cilat shpesh duan të mirëpresin më shumë refugjatë, azilkërkues dhe emigrantë si për arsye morale po ashtu edhe ekonomike.

Tek e fundit, janë qytetet përgjegjëse për shumë nga shërbimet dhe çështjet që lidhen me pritjen dhe integrimin e këtyre njerëzve. Ndaj zërat e kryetarëve të bashkive dhe drejtuesve të tjerë vendorë duhet të kenë më shumë peshë në diskutimet rreth politikës së emigracionit.

Së fundi, ndërsa shqyrtohen zgjidhjet për sfidat e paraqitura nga migrimi i përzier dhe i parregullt, është e rëndësishme të kujtojmë se vetë migrimi mund të jetë pjesë e zgjidhjes për disa prej sfidave më urgjente globale, nga pabarazia, varfëria dhe papunësia tek mungesat e fuqisë punëtore, madje edhe ndryshimi i klimës.

Bram Frows, drejtor i organizatës joqeveritare humanitare “Director of the Mixed Migration Centre”