MENU
klinika

Përsëri përplasje Itali-BE

Kërcënim janë ‘Musolinët e vegjël’, jo ‘Hitleri i ri’

15.09.2018 - 11:27

Ministri i brendshëm i Italisë është përplasur përsëri me BE, duke marrë kështu një qortim vulgar nga ministri i jashtëm i Luksemburgut lidhur me pikëpamjet e tij mbi imigracionin.

Mateo Salvini ka qenë të premten në një konferencë për migracionin,  në Vienë dhe theksoi kundërshtimin e tij mbi këtë çështje duke thënë se Italia do t’i refuzojë emigrantët dhe refugjatët që kalojnë Mesdheun nga Libia dhe Tunizia.

Ai tha se ishte krejtësisht kundër pikëpamjes, të përkrahur nga disa liderë evropianë, se me popullsitë që po plaken, kombet e BE duhet të pranojnë më shumë emigrantë.

Zhan Asselborn

“Kam dëgjuar se kolegët thonë se ne kemi nevojë për emigracionin, sepse popullsia e Evropës po plaket, por unë kam një pikëpamje krejt tjetër”, tha Salvini, i cili kryeson partinë e Ligës që është anti-emigracioni.

“Ndoshta në Luksemburg mund të bëni ç’të doni por në Itali më mirë të ndihmojmë njerëzit të kenë më shumë fëmijë, sesa të sjellim skllevër nga Afrika për të zëvendësuar fëmijët që nuk i kemi.” – u shpreh ministri.

E gjithë deklarata provokoi irritimin e Zhan Asselborn, ministri i jashtëm i Luksemburgut, i cili ishte ulur afër dhe filloi të mërmëriste “Bla, bla, bla”.

Salvini i kërkoi ministrit nëse ai do ta lejonte të mbaronte fjalimin e tij, por z. Asselborn, i cili është gjithashtu ministër i imigracionit dhe azilit të Luksemburgut, humbi durimin dhe ndërhyri.

“Në Luksemburg, zotëri, ne kemi mirëpritur mijëra italianë që erdhën për të punuar në vendin tonë, si emigrantë, në mënyrë që ju në Itali të keni të holla për fëmijët tuaj” tha ministri i Luksemburgut.

Salvini me kënaqësi ndau regjistrimin e konfrontimit me tre milionë ndjekësit e tij në Facebook.

Qeveria populiste e Italisë, e cila erdhi në pushtet në qershor, ka një marrëdhënie aspak të mirë me BE.

Të dy, Salvini dhe Luigi Di Maio, partneri i tij në qeveri, të enjten kundërshtuan një komisioner evropian që i kishte krahasuar udhëheqësit populiste në Evropë me “Musolinin e vogël”.

Pierre Moscovici, komisioneri i çështjeve ekonomike në BE, e krahasoi klimën e tanishme ekonomike me rritjen e fashizmit dhe nazizmit në vitet 1930 dhe tha se Evropa nuk po kërcënohet nga një Hitler i ri, por ka shumë “Musolinë të vegjël”.

Salvini

Më pas pati një reagim nga Salvini, i cili akuzoi politikanin francez për fyerjen e Italisë.

Salvini arriti të dyfishojë popullaritetin e partisë së tij që nga zgjedhjet e përgjithshme të Italisë në mars, por kritikët e akuzojnë atë për nxitjen e jotolerancës duke përdorur retorikën e ashpër për emigrantët.

Filipo Grandi, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, të premten i paralajmëroi politikanët populistë në të gjithë Evropën që të mos krijojnë hapësirë për racizmin duke përdorur gjuhë agresive. Ai i bëri komentet një ditë pasi mbajti një takim me Salvinin.

“Nuk po akuzoj askënd, por gjuha e politikanëve është bërë shumë agresive, jo vetëm në Itali”, tha ai.

Gati 75,000 emigrantë dhe refugjatë kanë arritur në Evropë deri tani këtë vit, krahasuar me 129,000 gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

Edhe numri i atyre që hynë në BE nga toka, është rritur ndjeshëm, 18,000 deri tani këtë vit, shtatë herë më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2017.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Reagimi i menjëhershëm i Makron...

‘Shkaktarja për shembjen e urës është Evropa’

Deklarata e tij për Merkel

Ministri Salvini shpërthen sërish…