Mali i Zi duhet të zgjidhë ngërçin politik dhe të mbetet i përkushtuar në rrugën euroatlantike, tha i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit që pati me kryeministrin në mandat teknik, Dritan Abazoviç.
Ai i bëri thirrje Podgoricës që “të kundërshtojë qartë agresionin brutal të Rusisë kundër Ukrainës”.
Në vizitë zyrtare në Mal të Zi po qëndrojnë edhe të dërguarit special të qeverive të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Stuart Pich dhe Manuel Sarazin.
Ata shprehën shqetësimin për krizën politike, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pafuqinë e vendimmarrësve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.
“Vendimmarrësit duhet të konsiderojnë me kujdes mesazhin e dëmshëm që do t’u dërgojnë partnerëve euroatlantikë nëse zgjedhin një kryeministër dhe formojnë një Qeveri bazuar në një Ligj që është i diskutueshëm nëse është në përputhje me Kushtetutën”, thanë ata.
Aktualisht Gjykata Kushtetuese, e cila vlerëson nëse ligjet e miratuara janë në përputhje me të, nuk ka kuorum për vendimmarrje që nga shtatori.
Me iniciativën e Frontit Demokratik pro-rus, më 12 dhjetor shumica parlamentare miratoi amendamentet në Ligjin për Presidentin.
Me miratimin e këtij Ligji, kjo shumicë do të marrë një pjesë të kompetencave së presidentit Milo Gjukanoviç në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Të dërguarit nga Britania dhe Gjermania shprehën shqetësimin e tyre për miratimin e ndryshimeve, duke mos marrë parasysh rekomandimin kundër të Komisionit të Venecias.
“Vendimet e marra në Kuvend më 12 dhjetor e përkeqësuan edhe më shumë krizën. Kjo është shumë shqetësuese dhe e dëmshme për Malin e Zi dhe qytetarët e tij”, thanë të dërguarit special.
Qëllimi i ndryshimeve të propozuara nga Fronti Demokratik pro-rus është që kandidati i tyre, Miodrag Llekiç, të jetë kandidat për kryeministër i Qeverisë së re malazeze.
Opozita, e udhëhequr nga partia e Gjukanoviçit, kërkon shpërndarjen e Parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, por shumica parlamentare kërkon që të formohet një Qeveri e re që do të udhëhiçej nga Llekiçi dhezgjedhjet e rregullta të mbahen në vitin 2024.
Më 12 dhjetor, Komisioni Evropian u bëri thirrje vendimmarrësve që ta tërheqin këtë Ligj, duke shprehur frikën se ky veprim do ta zhytë Malin e Zi në kaos kushtetues.
Që nga gushti i vitit 2020 në Mal të Zi kanë rënë dy qeveri, e fundit e Dritan Abazoviçit në gusht të këtij viti./REL