MENU
klinika

“Formalizim i të ardhurave të emigrantëve”

Rama: Do e bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht

18.12.2022 - 12:39

Kryeministri Edi Rama u shpreh i vendosur në realizimin e amnistinë fiskale, ndërsa theksoi se do të bëhet me çdo kusht.

Ndërsa ishte pjesë e Këshillit Koordinues të Diasporës me pjesëmarrje të përfaqësuesve të Diasporës dhe ministrave, ai u shpreh se amnistia fiskale garanton formalizmin e të gjitha të ardhurave nga puna e të shqiptarëve në diasporë.

Ndonëse ndërkombëtarët janë shprehur kundër kësaj amnistie, Rama u shpreh se do të vijë momenti kur do ta kuptojnë rëndësinë dhe nuk do ta pengojnë.

“Marrëdhënia mes diasporës dhe vendit amë është dinamike, marrëdhënie që asnjëherë nuk shterojnë. Gjeneratat përballen me sfida të ndryshme dhe ne jemi dëshmitarë që bota po transformohet me një shpejtësi gjithnjë edhe më të madhe. Duhet të gjejmë rrugët më të mira për të kthyer këto momente transformimi marramendëse në avantazh. Nga ana tjetër është interesante të shihet dhe mos harrohet që kontributi i të ikurve në emigracion nga Shqipëria në këto 3 dekada vijon të jetë konstante në ekonominë tonë, remitancat kanë shënuar rritje, çka dëshmon për fuqinë e lidhjeve mes njerëzve, familjeve, rretheve familjare dhe traditës që ende sot është e fortë në bërthamën e familjes shqiptare pavarësisht ndryshimit të rëndësishëm të ngarkesës së atyre që janë jashtë se fëmijët janë rritur dhe nevojat janë bërë më të konsiderueshme. Vërtet është një shenjë shumë domethënëse, nuk është një karakteristikë e të gjitha diasporave kjo e mbështetjes së vazhdueshme që nuk dobësohet nga vitet.

Kjo kërkon edhe drejtësinë që kemi bërë, është amnistia fiskale, për të garantuar formalizmin e të gjitha të ardhurave nga puna e të gjithë shqiptarëve në diasporë. Ekonomia informale nuk është një territor vetëm i vendeve në zhvillim si Shqipëria, por është një zonë që ekziston edhe në vendet e zhvilluara, puna në të zezë, pagesa në cash, punë të paregjistruara janë një konstante edhe në vendet e zhvilluara, shqiptarët hyjnë në ato komunitete, ne e dimë shumë mirë, janë të konsiderueshme se ka rënë në sy ky fakt, që janë punëtorë të jashtëzakonshëm dhe kanë ndërtuar jetën e tyre në emigracion, duke bërë dy e nga tre punë duke u afirmuar në vende që askush s’i ka pritur krahë hapur. Kemi dëshmi të panumërta që përforcojnë të gjitha arsyet për ta bërë këtë hap, i cili ka dashur të bëhet prej kohësh. Dy armiqtë më të mëdhenj të njeriut në botën kapitaliste janë bankat dhe taksat, një larje truri e paimagjinueshëm që ka sjellë si pasojë që edhe në periudhën e izolimit të jenë shumë skeptikë.

Ne kemi kontribuar masivisht për turpin tonë për ta furnizuar apo ngjizur këtë imazh skandaloz, kur krejt e kundërta është e vërtetë, shqiptarët janë kontributorë të rëndësishëm të vendeve ku kanë emigruar, si të gjitha komunitetet, si të gjitha vendet, kanë elementë të paligjshmërisë dhe të krimit, ku nuk bëjnë dallim dhe nuk përbëjnë ndonjë risi, patjetër shqiptarët që i kanë hyrë rrugës së paligjshmërisë dhe krimit janë element shqetësues, në tregun e pastrimit të parave, të këqijave, nuk e kanë krijuar shqiptarët, ata e kanë gjetur mes tyre dhe janë bërë pjesë e tij, ne duhet të thyejmë barrierat e paragjykimit. Nuk mund të paragjykohen shqiptarët për shaka të atij 1% që as nuk është subjekt ,a as nuk i përfaqëson shqiptarët. E pamë se çfarë ndodhi në Britani, me çfarë arrogance u përball komuniteti shqiptar. Ai 1% që i përket botës së krimit operon jashtë ligjit, nuk ka nevojë për ligje, se i thyen të gjitha ligjet.

Ato fjalë ricitohen bukur, por përdridhen për të fshehur të vërteta të thjeshta. Të gjithë ata që janë në emigracion që vuajnë për të sjellë në Shqipëri që vuajnë për të blerë një shtëpi, se u duhet e gjithë struktura e pastrimit të parave, paguajnë edhe ryshfete që t’i shpëtojnë Ne do e bëjmë amnistinë fiskale me çdo kusht, me çdo të drejtë. Kam besim që bashkësia ndërkombëtare, edhe BE do e kuptojë e nuk do ta pengojë, do e pranojë principin e së drejtës për të monitoruar këtë proces që të bëhet siç duhet, se përderisa e bën Italia e vende të tjera, ne nuk kemi pse privohemi se jemi të vegjël”, tha Rama.