MENU
klinika

Analiza

Si Putini po praktikon mësimet që mori nga nazizmi…

26.12.2022 - 14:02

Tetëdhjetë vjet më parë, “edukimi për vdekjen” ishte mënyra se si regjimi i Adolf Hitlerit krijoi nazistët e përsosur, shkruante ndër të tjera Gregor Ziemer në librin e tij.

Sot po ndjek të njëjtën rrugë Rusia e Putinit. “Ishte një ditë e zymtë dimri në Berlin” në një vit të papërcaktuar të regjimit të Hitlerit, kur një grup nxënësish të shkollave fillore qëlluan me gurë nxënësit e shkollës fqinje amerikane duke brohoritur “Hebrenj!” dhe “Poshtë të huajt e urryer!”.

Gazetari Gregor Ziemer, themelues dhe drejtor i shkollës, protestoi për këtë akt te kolegu i tij gjerman, i cili kërkoi falje. “Megjithatë, ju duhet të kuptoni se unë e kam të pamundur t’i kontrolloj djemtë kur të dalin nga shkolla. Në çdo rast, a do të prisni nga unë që të shtyp një demonstratë spontane popullore? Edhe sikur të doja, nuk do të më lejohej”- i tha ai.

Ziemer u përgjigj se shkolla e tij kishte gjithmonë respekt për kulturën gjermane. “Po, por ju keni nxënës hebrenj. Ne u mësojmë nxënësve tanë se hebrenjtë janë armiqtë tanë më të urryer”- i tha profesori gjerman. Ziemer këmbënguli se nxënësit e tij kishin antipati ndaj gjithë të huajve, pa asnjë përjashtim. Ai ra dakord, por e pranoi se djemtë e tij e dinin se e gjithë bota ishte kundër tyre dhe Fyhrerit të tyre.

Ata ishin nxitur nga mësuesit e tyre të ishin të ashpër, të gatshëm të luftonin dhe të vdisnin për Hitlerin. Por ai “supozoi” se ata të rinj kishin bërë disa ushtrime. Pastaj Ziemer shkoi tek autoritetet lokale të merrte një leje për të vizituar shkolla gjermane të klasave të ndryshme, si dhe shoqata të ndryshme rinore.

“Partia Naziste nis që të interesohet për fëmijën gjerman që përpara ngjizjes së tij në barkun e nënës”- shkruan ai në librin e tij. Faza e parë e atij rrugëtimi drejt edukimit totalitar ishte sterilizimi i grave “me mangësi mendore”. Më pas vinin “shtëpitë e lindjes”, ku shkonin nënat beqare që qëndronin atje për aq kohë sa ishin “ariane”, pasi regjimi inkurajonte riprodhimin edhe përtej institucionit “të vjetruar” të martesës.

Para se të hanin bukë, gratë recitonin një lutje për Hitlerin: “Fyhreri ynë, ne ju falënderojmë për bujarinë tuaj, për këtë shtëpi, dhe për këtë libër. Ne jua kushtojmë juve të gjitha forcat tona. Ne jua kushtojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë!”

Më pas ai do të shihte “fëmijë që sapo kishin nisur të belbëzonin” të këndonin himne për Hitlerin.

Djem 10-vjeçarë që shprehnin “dëshirën për të varur të gjithë francezët, për të marshuar në Paris dhe për të hedhur bomba”; adoleshentë që u nënshtroheshin stërvitjeve ushtarake.

Po ashtu Ziemer do të dëgjonte përrallat e reja naziste, si “Borëbardha dhe 7 nazistët”. Ai do të çonte në spital një vajzë të vogël, e cila do të vdiste nga apendiciti, pasi u sëmur gjatë një marshimi, sepse atë mëngjes babai i saj e kishte qortuar, duke i thënë ta harronte atë dhimbje barku të vogël dhe të ishte e fortë dhe energjike për Fyhrerin.

Riti i vajzave që kërcejnë në një rreth në amfiteatrin romak të Trierit për të nxitur pjellorinë kushtuar martirit nazist Horst Vesel do të jetë shumë befasuese për gazetarin amerikan. Më në fund, pasi sheh studentët të pështynin mbi Bibël dhe më pas ta digjnin atë, Zeimer nuk duron dot më.

Së shpejti edhe Gjermania do t’i shpallte luftë Shteteve të Bashkuara, dhe ai u detyrua të kthehej në atdheun e tij. Libri i tij, ku u bazua edhe filmi i vitit 1943 , Fëmijët e Hitlerit, dhe një film vizatimor i Disney i vitit 1943, Edukimi për vdekjen, do të përdoret si dëshmi e prokurorisë në gjyqet e Nurembergut.

Është pak a shumë lloji i makthit që shpjegon Svetllana Stefenson, profesoreshë e sociologjisë në Universitetin Metropolitan të Londrës në artikullin “Gangsterët e Rusisë: Nga rrugët te korridoret e pushtetit”, botuar në gazetat “Moscow Times” dhe “Novaya Gazeta Europe”.

Tema ishte “gjuha e dhunës që ka përshkuar për vite me radhë mediat ruse të kontrolluara nga shteti”. “Ndërsa të qeshurat kërcënuese të autoriteteve mund të dëgjohen ende në ekranet televizive ruse, dhe zyrtarët shtetërorë diskutojnë për shkatërrimin e qyteteve të Ukrainës apo përdorimin e armëve bërthamore, në skenë kanë dalë personazhe të rinj”-nënvizon ajo.

Një studiuese e njohur e nënkulturës së bandave kriminale ruse, Stefenson vëren se si ky stil huligan i “talljes me viktimat”, është bërë tashmë “një stil sjelljeje i miratuar zyrtarisht”. Një shembull është ai i Grupit Vagner, që publikoi një video në të cilën një nga mercenarët e tij vritet brutalisht me një shkop, vetëm sepse më herët i ishte dorëzuar forcave ukrainase.

“Kjo lloj shfaqjeje ogurzezë – duke treguar hapur refuzimin ndaj moralit dhe ligjit, dhe duke u gëzuar për poshtërimin e më të dobtëve – duket se është krijuar për të dëshmuar sovranitetin e Rusisë ndaj armiqve të saj, dhe për të theksuar se në Rusi nuk vlejnë normat e qytetërimit perëndimor dhe standardet e saj të mirësjelljes.

Rusët i shikojnë këto gjëra nga divanet e shtëpive të tyre, dhe gjejnë ngushëllim në një gjendje mjerimi të përgjithësuar me idenë se edhe nëse jetojnë në varfëri, ata janë akoma më të ashpër se kushdo tjetër, dhe se me ata nuk duhet të tallet njeri”- thotë ajo.

Megjithatë humbjet ushtarake në Ukrainë, shkaktuan një tronditje, të cilës iu shtua edhe dështimi i mobilizimit. Dhe kundërpërgjigja është një klimë e re nacionaliste. Svetlana Stefenson flet për “artistë të trukuar si zombi, përfshirë shumë yje të moshuar të muzikës pop të viteve të fundit të BRSS, të cilët filluan të nxisnin popullatën të kundërshtonte ata që i sheh me përçmim, dhe në këtë mënyrë të imitojnë paraardhësit”.

Ata shfaqen para ekraneve me fytyra të zbehta, grim të errët dhe rroba të zeza që kombinohen për të krijuar një atmosferë funerali. Në televizione shfaqen çdo natë imazhe të ushtarëve që shkojnë në front me një pamje vendosmërie të vrazhdë në fytyrat e tyre, ndërsa pankartat listojnë emrat e fëmijëve të vdekur nga Donbasi, së bashku me ata të ushtarëve të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Një grua përlotet ndërsa një djalë me kapele ushtarake përshëndet ushtarët që kalojnë. Por mungon çdo përmendje e shpresës dhe e fitores.

Është një rikthim tek një Rusi e dënuar të luftojë luftëra të përjetshme.

Në fillim të nëntorit, vetë Putin u shfaq në TV duke vizituar një ekspozitë mbi mbrojtjen e Moskës gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Koncepti i vdekjes që i jep kuptim jetës, u propagandua edhe gjatë takimit të fundit të Putinit me nënat e rekrutëve të mobilizuar. Ai u tha grave se jeta e fëmijëve të tyre kishte qenë e pakuptimtë deri para vdekjes së tyre në luftë. Sipas kësaj analize, një thirrje e tillë është e huaj për kulturën ruse dhe madje edhe sovjetike, të cilat e portretizojnë nënën e një ushtari të vdekur si një figurë tragjike të pangushëllueshme.

E drejta e nënave për të shpëtuar fëmijët e tyre, u njoh edhe gjatë luftërave çeçene, siç dëshmohet edhe nga qëndrimi respektues i autoriteteve ushtarake ndaj Komitetit të Nënave të Ushtarëve.

Por Putinit i mungon ky botëkuptim kulturor.

Koncepti i një nëne që gëzohet për vdekjen e një fëmije, është marrë nga ideologjia naziste, në të cilën gratë portretizohen si prodhuesit e fëmijëve të kërkuar nga shteti.

Pra nazifikimi i përshpejtuar i jetës në Rusi, ka përkuar me një ndërgjegjësim në rritje të publikut se autoritetet janë indiferente ndaj mirëqenies së tyre.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN