Futbolli serb merr një tjetër goditje për imazhin, pasi një emër shumë i njohur i tij është arrestuar si trafikant ndërkombëtar kokaine. Dusan Petkovic, ish-lojtari i përfaqësueses serbe, me një të kaluar në Bundesligë, është arrestuar për 115 kilogramë kokainë.
Ish-futbollisti 48-vjeçar u arrestua në Amsterdam, në një aksion të koordinuar nga Europol. Ai ishte një nga 8 personat e arrestuar për trafik ndërkombëtar, pasi kishin organizuara kalimin e substancave narkotike nga Amerika Latine në Roterdam.
Që aty kishin kaluar këtë sasi në Arlon të Belgjikës dhe po planifikonin ta kalonin në Gjermani, ku Petkovic ka luajtur në karrierën e tij me klube të Bundesligës, si Wolfsburg e Nuremberg.
Petkovic është aktualisht drejtori sportiv i klubit të OFK Beograd në futbollin serb. Ai është një emër i njohur edhe pse nuk ka luajtur shumë ndeshje me përfaqësuesen e tij.
Emri i tij bëri bujë sidomos në vitin 2006, kur u grumbullua për të marrë pjesë në Botëror në vend të Mirko Vucinic të dëmtuar (asokohe Serbia dhe Mali i Zi përfaqësoheshin të bashkuara). Por ai u tërhoq nga grumbullimi pasi ftesa i kishte ardhur nga baba i tij, Ilija Petkovic, i cili ishte trajneri i përfaqësueses dhe kjo u cilësua si një skandal i madh.