MENU
klinika

Monumentin po e merr lumi

“Ura e Zogut” drejt shembjes, kriset struktura mbajtëse

16.12.2022 - 11:14

Ura e Zogut mbi Lumin Mat rrezikon shembjen e plotë. Pamjet e kësaj të enjteje mund të jenë ndër të fundit që monumenti i kulturës së kategorisë së parë është ende e plotë mbi ujë.

Një tjetër këmbë e urës është fundosur me rreth 2 metra, ndërsa e gjithë struktura ka pësuar dëmtime pas prurjeve të shtuara të Lumit Mat për shkak të shkarkimeve nga Hidrocentrali i Shkopetit. Disa muaj më parë, Ura, që, për shkak të risive arkitekturore në kohën kur u ngrit, cilësohej “Miss Ballkani” në infrastrukturë, u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e monumenteve më të rrezikuara për vitin 2022. Por, duket se struktura e ndërtuar në vitin 1927 nuk do t’i presë pa fund burokracitë dhe neglizhencën e institucioneve përgjegjëse të mbrojtjes së trashëgimisë nuk morën masa për ta shpëtuar.

PSE KJO URË ËSHTË E VEÇANTË
Arkitektja Doriana Musai thotë se Ura e Zogut mbart një histori të veçantë, por që për fat të keq nuk ka asnjë projekt mirëmbajtje dhe është lënë në degradim. “Ura e Zogut ka histori të veçantë se është ndërtuar në periudhën e mbretërisë nga inxhinierë austriakë, gjermanë e shqiptarë dhe konsiderohet si misi i Ballkanit, e bën të veçantë dhe përpjekjet që ka bërë komuniteti për ta ruajtur urën. Në 2021, organizatat, banorët dhe aktivistët filluan të ndërgjegjësojnë komunitetit.

Ura ka që në 1999 që është shpallur monument kulture, por nuk ka asnjë projekt mirëmbajtjeje, është lënë në degradim. Mendoj që ka një mungesë thellësisht interesi nga Ministria e Kulturës, nuk është çështje fondesh, nuk ka reaguar asnjë herë ministria dhe kur komuniteti i dërgoi 3 mijë firma për ta mirëmbajtur dhe kur “Europa Nostra” e shpalli si monument në rrezik për 2022. Ministria bën klipe, por nuk mban përgjegjësinë që ka. ‘Europa Nostra’ thotë që kjo urë nuk ka investime të mëdha, mjafton të ndërtohet një plan inxhinierik, të përcaktohet gjendja, të bëjmë ca ndërhyrje parandaluese dhe të reduktohet aktiviteti përgjatë lumit Mat, që është një nga arsyet kryesore të dëmtimit. Ministria duhet të marrë masa.

Kalkulimet nuk bëhen pa projekt, që të behet institucioni duhet të vijë në punë. Vepra mban elemente të forta të trashëgimisë kulturore. Në momentin që arrijmë të ndërtojmë një plan ekzekutimi ka disa faza. Nëse s’kanë para, mund të thonë. Indiferenca dhe mënjanimi bën që të mos ketë asnjë projekt për restaurimin dhe mbrojtjen e urës. Ajo që është ministria e mbrojtjes së monumenteve po i shkatërron ato, ata nuk reagojmë për detyrat që kanë për mbrojtjen. Ministria na ka mbyllur dyert. Sjellja si pronë e shtetit po na kushton memorien, monumentet. Turistët vijnë për të parë këto vepra”, thotë Musai.

MINISTRIA, ASNJË PËRGJIGJE
Aktivistja e Shoqërisë Civile, Emarilda Leti, thotë se pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje, institucionet shtetërore kanë heshtur. “Ura e Zogut është në ditët e saj më të këqija, por ajo që nuk dini, ama nuk do t’ju habisë, është se prej muajsh ekspertët e Europa Nostra, Qendra Rinore Sebastia dhe Lida Miraj përpiqen të vihen në kontakt me Ministria e Kulturës dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare nga ana e tyre, përveç justifikimeve në rrugë telefonike që herë njëra ministre e herë tjera na qenkan jashtë vendit për detyra më të rëndësishme, sesa thjesht një urë 100-vjeçare, trashëgimi e kategorisë së parë, me të cilën vendi ynë mburrej dikur dhe hynte në histori.

Kjo është forma, me të cilën na shtypin çdo ditë, duke mos na marrë parasysh për asgjë dhe duke përçudnuar e zhdukur Shqipërinë, sepse çdo pushtetar që vjen, do Shqipërinë e tij, imponon vulën e vet në çdo gjë. Vulën e shkatërrimit”, thotë Leti. Pak ditë më parë, Ura e Bahçallëkut në Shkodër, monument kulture i kategorisë së dytë, u rrëzua për shkak të prurjeve të lumit dhe mungesës së ndërhyrjeve për ta shpëtuar. Vitet e fundit janë disa ura nën mbrojtjen e shtetit janë shembur plotësisht, duke humbur kështu një pjesë të trashëgimisë kulturore e historike. Ura e Hoshtevës, në Zagori të Gjirokastrës, ajo e Orgockës, në Kolonjë janë vetëm dy prej tyre.

PD: Edi Rama po i fshin Shqipërisë një vepër me vlerë historike
Pas pamjeve dramatike nga Ura e Zogut që po shkon drejt shembjes totale, Partia Demokratike tha se Shqipërisë po i fshihet një nga veprat më vlerë të rrallë historike. Deputetja Elda Hoti akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka lënë jashtë vëmendjes zonat e veriut të vendit. “Mungesa prej vitesh e vëmendjes dhe e kujdesit të qeverisë, lënia në harresë, pavarësisht alarmit të aktivistëve të trashëgimisë, ka bërë që lumi Mat ta shkatërrojë urën e famshme, duke çuar në det një tjetër monument të traditës. Kjo mungesë barbare ndjeshmërie dhe përkujdesjeje, i ka fshirë Shqipërisë një ndër veprat më me vlerë historike dhe arkitektonike.

Prej kohësh kam dashur ta shmang trishtimin e kësaj dite, dhe për këtë nuk reshta së kërkuari nga qeveria që të marrte masat për të mos lejuar rrënimin e një prej ikonave të veriut të Shqipërisë”, tha ajo. Deputetja e opozitës deklaroi se Ministria e Kulturës nuk mori asnjë masë pavarësisht angazhimit të institucioneve ndërkombëtare. “Edhe pse mori vëmendjen e organizatës ndërkombëtare ‘Europa Nostra’, që e listoi në vendin e 12 si një ndër asetet më të rrezikuara në Europë, Ministria jonë e Kulturës heshti. Qeveria nuk ia hodhi sytë asnjë ditë nga 9 vitet e gjata në pushtet.

Ndoshta është shumë të kërkosh nga një qeveri si kjo e tanishmja, vëmendje për ‘Urën e Zogut’: Një qeveri që ka fshirë memorien e vendit, ka shkelmuar trashëgiminë, ka varfëruar qytetarët dhe po shpopullon vendin. Ndjej trishtim, por aspak çudi, për një qeveri e cila e sheh trashëgiminë me sytë e njerkës dhe pasuritë e vendit i klasifikon vetëm sipas vlerës që ato kanë për xhepin e pushtetarëve. Ndjej trishtim për shkatërrimin e “Urës së Zogut”, por aspak çudi se për këtë qeveri, një oligark vlen më shumë se një monument kulture. I bëj thirrje Ministrisë së Kulturës t’i japë fund derdhjes së fondeve për miqtë e partisë dhe të kthejë kokën nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë. Ura e Zogut, me këmbët e thyera, rri në ballin e turpeve të kësaj qeverie, e cila atë që nuk e vjedh e lë të shkatërrohet, dhe atë që shkatërron e quan punë dhe nder”, u shpreh ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN