Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç iu drejtua qytetarëve pas takimit me Komisionerin Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelhy. Në fjalën e tij para mediave, sipas “Novosti” presidenti serb tha se nuk është as i dehur dhe as i çmendur për deklaratat që ka dhënë ndaj dhe nuk u kursye edhe njëherë, edhe ndaj ndërkombëtarëve.
“Fola dhe e njoha Varhelhyn me pikëpamjen tonë për situatën në Kosovë. Më duhet të them që nuk jam as i çmendur, as i dehur, as budalla, gjithçka që pi është çaj kamomili dhe Zero Cola, por theksova gjithçka që ka ndodhur që nga fillimi i vitit. Nuk u pendova për asnjë fjalë. E kam fjalën për gjithçka që kam thënë për Kurtin, Trajkoviçin dhe Rashiçin. Gjithçka thashë dje, e them edhe sot,” – tha presidenti.
Kujtojmë se Vuçiç ka reaguar dje ndaj vendimit të Albin Kurtit për emërimin e Nenad Rashiqit në mënyrë jokushtetuese dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit për ministër për komunitete, si dhe ndaj reagimeve të turpshme të Bashkimit Evropian për këtë veprim.
“Zgjedhja e Rashiçit, njeriut që fitoi më pak se 1 për qind, si dhe Rada Trajkoviçit, e cila ishte në listën e tij, tregon se ata duan përndjekjen, dëbimin dhe zhdukjen e serbëve në Kosovë. Dhe tani kam disa gjëra për të thënë; kam heshtur për muaj e vite. Ai llum terrorist duhet të kishte marrë dënimin e merituar të Bashkimit Evropian. Sigurisht që nuk e kuptuan. Dhe kështu sillen vazhdimisht, jo vetëm që kanë shkelur normat e Marrëveshjes së Brukselit, të drejtën publike ndërkombëtare dhe të gjitha normat demokratike,”-shtoi presidenti.
Të martën Tirana do të presë liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Ballkanit Perëndimor së bashku me drejtuesit më të lartë të institucioneve të Brukselit. Samiti që bën bashkë krerët e kontinentit të vjetër do të mbahet në ambientet private të Arenës Kombëtare. Kryeministri Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, si dhe Presidenti i Këshillit të BE Charles Michael do të dalin në konferencë për shtyp përpara 140 përfaqësuesve të medias, shqiptare dhe ndërkombëtare, që do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Por Vuçiç bëri me dije dje se nuk do të merrte pjesë sepse nuk donte që ta dorëzonte Kosovën.