Ministrja e Arsimit Evis Kushi njofton se pjesa më e madhe e shkollave ku u ndërpre mësimi javën e kaluar për shkak të motit të keq, janë kthyer në normalitet.
Përmes një njoftimi në Facebook, ministrja shkruan se vetëm në 13 shkolla në disa njësi administrative të Shkodrës (Pult, Shosh dhe Shalë) procesi mësimor nuk mund të fillojë ditën e hënë, për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e dëborës.
Kujtojmë që tre ditë më parë ministria njoftoi se per shkak te motit të keq u mbyllën 56 shkolla kryesisht në zonat e Lezhës dhe Shkodrës, por nga keto 13 do të vazhdojnë të jenë ende te mbyllura.
Njoftimi i plotë:
Të dashur nxënës, prindër dhe mësues,
Strukturat tona arsimore, së bashku me bashkitë, kanë qenë në terren gjatë gjithë fundjavës për të marrë të gjitha masat e nevojshme për një fillim sa më të mbarë të procesit mësimor ditën e hënë.
Fatmirësisht, pjesa më e madhe e shkollave ku u ndërpre mësimi javën e kaluar janë kthyer në normalitet, përveç 13 shkollave në disa njësi administrative të Shkodrës (Pult, Shosh dhe Shalë), ku për shkak të situatës së rënduar nga reshjet e dëborës, procesi nuk mund të fillojë ditën e hënë.
Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mehmet Shpendi”, Shalë,
Shkolla 9-vjeçare “Giman”, Shalë,
Shkolla 9-vjeçare “Theth” Shalë,
Shkolla 9-vjeçare “Don Prek Ndrevashaj”, Shosh,
Shkolla 9-vjeçare “Palaj”, Shosh,
Shkolla Fillore “Nicaj”, Shosh,
Shkolla 9-vjeçare “Kir”, Pult,
Shkolla Fillore “Kasnec”, Pult,
Shkolla Fillore “Pog”, Pult,
Shkolla 9-vjeçare “Bruçaj”, Pult,
Shkolla 9-vjeçare “Plan”, Pult,
Shkolla Fillore “Maja Thanës”, Pult,
Shkolla 9-vjeçare “Xhan”, Pult.
Mbetemi të angazhuar maksimalisht me strukturat tona arsimore, duke besuar fort edhe në bashkëpunimin sa më të ngushtë me njësitë administrative përkatëse të Bashkisë Shkodër, që të punojmë së bashku për rikthimin sa më shpejt në normalitet edhe në këto shkolla.