Kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në vitin 2021, mesazhi i tij i parë për pjesën tjetër të botës ishte: “Amerika është kthyer”.
Pasi mori mandatin e tij të tretë si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Kinës (CPC) në tetor, Presidenti Xi Jinping duket se po bën një deklaratë të ngjashme.
Gjatë dy muajve të fundit, udhëheqja e Kinës ka njoftuar ose sinjalizuar një sërë ndryshimesh të mëdha politikash, duke i dhënë fund befas gati tre viteve të politikës zero-COVID, duke lehtësuar goditjen ndaj kompanive të teknologjisë dhe sektorit të pasurive të paluajtshme, duke riafirmuar angazhimin e saj për rritjen ekonomike, dhe duke shtrirë ”një degë ulliri” drejt Shteteve të Bashkuara në G-20.
Me ekonominë e dytë më të madhe në botë që me sa duket rihap dyert e saj për biznesin, investitorët po reagojnë me entuziazëm.
Por, ndonëse kjo qasje e Kinës sigurisht që premton mirë për tregtinë ndërkombëtare dhe paqen dhe stabilitetin global, vendosja e ekonomisë kineze në rrugën e duhur do të kërkojë më shumë sesa thjesht një ndryshim të politikave të fundit.
Ajo që vërtet nevojitet është ndryshimi i pragmatizmit dhe reagimeve të sinqerta në sistemin politik.
Siç tregova në librin tim “Si i shpëtoi Kina kurthit të varfërisë”, këto atribute përcaktuan qeverisjen e famshme adaptive të Kinës gjatë epokës së Deng Xiaoping.
Ekziston një keqkuptim i zakonshëm se “modeli i Kinës” do të thotë kontroll nga lart-poshtë nga një qeveri e fortë, autoritare, e rrethuar nga ndërmarrje shtetërore e fortë.
Në fakt, 30 vjet varfëri dhe vuajtje nën Mao Ce Dunin dëshmuan se kombinimi i planifikimit nga lart-poshtë, pronësisë shtetërore dhe represionit politik ishte një recetë për dështim.
Kjo është arsyeja pse Deng prezantoi në heshtje një sistem hibrid që unë e quaj “improvizim i drejtuar”.
CPC mbeti fort në pushtet, por qeveria qendrore delegoi autoritet te shumë autoritete lokale anembanë Kinës dhe, në të njëjtën kohë, çliroi sipërmarrësit privatë nga kontrollet shtetërore.
Duke luajtur rolin e një drejtori dhe jo një diktatori, qeveria në Pekin përcaktoi qëllimet kombëtare dhe vendosi stimuj dhe rregulla të përshtatshme, ndërsa autoritetet e nivelit më të ulët dhe lojtarët e sektorit privat improvizuan zgjidhje lokale për problemet lokale.
Në praktikë, u shfaqën një shumëllojshmëri e gjerë e “modeleve kineze” lokale, duke ofruar risi transformuese nga poshtë lart, shpesh në mënyra që befasuan autoritetet qendrore.
Rritja e ekonomisë dixhitale është një shembull.
Meqenëse idetë duhet të vijnë përpara veprimit, Deng u sigurua që së pari të ndryshonte mentalitetin dhe normat e CPC-së.
Në fjalimin e tij historik të dhjetorit 1978, duke nisur epokën e “reformës dhe hapjes” së Kinës, ai e bëri “emancipimin e mendjes” një prioritet për partinë.
Nën drejtimin e Mao, njerëzit nuk guxuan të thoshin të vërtetën, nga frika e ndëshkimit të ashpër, duke krijuar një klimë të frikshme politike që shkaktoi politika katastrofike.
Por nën Dengin, imperativi i ri ishte “të kërkonim të vërtetën nga faktet”.
Politikat duhet të zgjidhen sepse përmirësonin mirëqenien e njerëzve, jo sepse ishin politikisht korrekte.
Sistemi hibrid i Deng – drejtimi nga lart-poshtë i kombinuar me autonominë nga poshtë-lart – është anashkaluar si nga skifterët e Kinës Perëndimore ashtu edhe nga vetë udhëheqja e Xi.
Kur Xi erdhi në pushtet, ai u fokusua tek një histori tjetër rreth suksesit të Kinës, duke festuar “përparësinë institucionale” që supozohet se një sistem komandimi nga lart-poshtë ka ndaj kapitalizmit demokratik perëndimor.
Në, një qasje nga lart-poshtë dha rezultate mbresëlënëse gjatë shpërthimit të COVID-19 në fillim.
Nëpërmjet testimit masiv, kufizimit të rreptë dhe masave të tjera, Kina arriti pothuajse zero infektime dhe vdekje nga viti 2020 deri në vitin 2022.
Xi e konsideroi zero-COVID si një nga arritjet e tij të rëndësishme, duke deklaruar së fundmi në Kongresin Kombëtar të Tetorit se Kina do t’i përmbahej politikës “pa u lëkundur”.
Por më pas ngjarjet morën një kthesë të shpejtë, të papritur. Të acaruar nga bllokimet e pafundme, qytetarët kinezë nga sfera të ndryshme dolën në rrugë në shenjë proteste, duke e detyruar Xi-në të ndryshonte qëndrim.
Por përmbysja e papritur e politikës zero-COVID ka çuar në një rritje masive të rasteve dhe shtrimeve në spital me të cilat Kina do të vazhdojë të luftojë për ca kohë.
Xi dhe ekipi i tij janë të etur për ta lënë pas pandeminë dhe për të rifituar besimin e biznesit.
Për më tepër, pas kulmit të infeksioneve COVID-19, konsumi i brendshëm ka të ngjarë të kthehet me një hakmarrje (prenotimet e fluturimeve tashmë janë rritur disa herë menjëherë pasi u hoqën kërkesat e karantinës për udhëtarët) dhe prodhimi dhe logjistika do të kthehen në normalitet.
Qeveria qendrore ka premtuar gjithashtu shpenzime shtesë për infrastrukturën për të nxitur rritjen.
Por që terreni i ri ekonomik të japë fryte në një afat më të gjatë, Xi duhet të rihapë kanalet e reagimit të sistemit politik.
Kjo do të thotë të japësh një shembull personal dhe t’u bësh të qartë zyrtarëve të partisë-shtetërore se ai me të vërtetë dëshiron që ata të raportojnë realitetetin.
Kjo nuk do të ndodhë nëse, në praktikë, treguesit e së vërtetës heshtin dhe propaganduesit dëgjohen kudo.
Qeveria gjithashtu duhet t’i japë më shumë hapësirë shoqërisë civile dhe medias.
Është dritëshkurtër dhe në fund të fundit vetë-shkatërruese të mendosh se shfuqizimi i fjalës së lirë do të forcojë kontrollin e CPC-së në pushtet.
Megjithatë, një problem tjetër me qasjen e Xi nga lart-poshtë është se do t’i lërë investitorët të pyesin se kur Kina mund të ritet përsëri.
Gjatë dekadës së fundit, Xi ka shpallur vazhdimisht një përkushtim ndaj “reformave” të ndryshme, vetëm për të bërë të kundërtën. Ndryshimi i kritereve të sistemit politik për rekrutim dhe promovim do të fliste më shumë se sa slogane të thjeshta.
Së fundi, udhëheqja e Kinës duhet të pranojë se qëllimi kryesor për të trajtuar problemet e “Epokës së Artë” të vendit, si frenimi i investimeve spekulative në pasuri të paluajtshme dhe mbrojtja e të drejtave të punonjësve të dërgesave në tregtinë elektronike, nuk ishte i gabuar.
Politikat e mëparshme dështuan sepse u zbatuan në mënyrë arbitrare, duke i lënë bizneset nervozë se partia mund t’i ndryshonte në çdo kohë.
Xi dhe rrethi i tij duhet të praktikojnë transparencë dhe konsultim në politikëbërjen e tyre.
Kina pati përvojë të mjaftueshme në qeverisjen adaptive midis fundit të viteve 1970 dhe fillimit të viteve 2010.
Por në kohën kur Xi erdhi në pushtet në vitin 2012, modeli ekonomik i Dengit kishte arritur kufijtë e tij dhe kishte filluar të prodhonte nivele të paqëndrueshme të korrupsionit, pabarazisë, rreziqeve të borxhit dhe ndotjes së mjedisit.
Megjithatë, zgjidhja nuk mund të jetë kurrë kthimi në maoizëm. Përkundrazi, Kina duhet të sjellë “improvizim të drejtuar” në shekullin e njëzet e një.
Yuen Yuen Ang, profesor i Ekonomisë Politike në Universitetin Johns Hopkins, është autor i “Si Kina shpëtoi nga kurthi i varfërisë” (Cornell University Press, 2016) dhe “Epoka e praruar e Kinës” (Cambridge University Press, 2020).
Burimi: Project Syndicate
Përktheu dhe përshtati: Konica.al