Kur Rusia pushtoi Ukrainën shkurtin e vitit të kaluar, Vladimir Putin tha se bota po përballej me një konfrontim midis qytetërimeve të Perëndimit dhe Moskës. Kjo ndarje në dy kampe ringjalli kujtimet e Luftës së Ftohtë dhe ashtu si në ato kohë, liderët rusë diskutuan hapur përdorimin e armëve bërthamore.
Por ka një dallim të madh mes të sotmes dhe gjysmë shekulli më parë. Moska duket shumë më e dobët se ish-perandoria e Stalinit dhe Brezhnevit. Forcat e Putinit nuk i kanë arritur të gjitha qëllimet e tyre në Ukrainë, dhe shumë nga shtetet dikur satelite të BRSS janë sot anëtare të NATO-s.
Gjithsesi, shumë tendenca të kohëve të fundit ngjajnë gjithashtu me konturet e Luftës së Ftohtë. Moska dhe Pekini janë bërë aleatë të vendosur, më afër se edhe gjatë epokës komuniste. Që nga pushtimi, SHBA dhe BE kanë ndërmarrë një sërë lëvizjesh për të ndërprerë plotësisht marrëdhëniet tregtare me Rusinë dhe për të ndalur zhvillimin e sektorit të teknologjisë në Kinë.
Pra a po ndahet sërish bota në dy blloqe armiqësore, ashtu si gjatë Luftës së Ftohtë? Ja si përgjigjet Sergej Radçenko, historian i Luftës së Ftohtë dhe profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhon Hopkins.
Sa ngjan dinamika globale politike sot me Luftën e Ftohtë?
Ka disa ngjashmëri por edhe dallime të mëdha. Tipari dallues i Luftës së Ftohtë ishin konceptet e ndryshme të dy palëve për modernitetin, dhe mënyrën se si të arrihej atje. Kishte qasje të ndryshme ndaj konceptit të pronës dhe ekonomisë. Planifikimi qendror në Bashkimin Sovjetik dhe Kinë dhe një ekonomi e orientuar nga tregu në Perëndim.
Dallimi ideologjik sot është autoritarizmi përkundrejt demokracisë. Dhe ky është një ndryshim shumë i madh. Por në nivelin e jetës së përditshme, ka shumë ngjashmëri mes Rusisë, Kinës dhe Perëndimit: restorantet e drejtuara nga individë privatë, sektori i shërbimeve dhe kudo njerëzit përdorin iPhone.
Një tjetër dallim interesant, është se lidhjet midis Moskës dhe Perëndimit nuk ishin aq të forta gjatë Luftës së Ftohtë sa janë sot. Edhe pse Perëndimi është përpjekur ta përjashtojë Rusinë nga ekonomia botërore, ajo është ende e lidhur ngushtë. Burimet natyrore rrjedhin ende nga Rusia, dhe Rusia varet nga mallrat e importuara. Moska ende bën tregti me botën, dhe nuk është një sistem autarkik.
A po luan sot Kina rolin e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Ftohtë?
Kina është liderja e këtij rreshtimi të ri. Por nuk më rezulton që ajo të ketë ambiciet e Bashkimit Sovjetik. BRSS kishte dikur ambicien për të transformuar botën. A është Kina e interesuar të ruajë rendin ndërkombëtar aktual apo po përpiqet ta zëvendësojë atë? A kanë kinezët një strategji të madhe?
Ne nuk kemi një panoramë të qartë se çfarë po mendojnë kinezët, madje mendoj se as kinezët nuk e dinë saktësisht se çfarë duan. Nga këndvështrimi kinez, bota po duket gjithnjë e më kaotike dhe kinezët po përpiqen të përfitojnë nga ky kaos. Por nuk është e qartë se ata kanë të njëjtën aspiratë të transformimit global siç bëri Bashkimi Sovjetik përmes ideologjisë marksiste-leniniste.
A duket sot Rusia shumë më e dobët se një vit më parë kur nisi pushtimin e plotë të Ukrainës?
Nuk ka asnjë dyshim se Putini i bëri gabim llogaritë e tij. Ai priste me padurim një botë më kaotike ku e ndiente se ndikimi perëndimor po binte. Ndaj ndoshta mendoi se mund ta përmirësonte pozicionin relativ të Rusisë duke pushtuar Ukrainën. Ishte një ide e menduar shumë keq.
Dhe këtu gjendet edhe lidhja e sotme me Luftën e Ftohtë: Rusia është ndier gjithmonë se nuk është respektuar sa duhet në politikën globale. Kjo ndjenjë është e rrënjosur që në të kaluarën sovjetike. Ajo ka qenë një shqetësim kryesor i udhëheqësve sovjetikë nga Stalini te Hrushovi, Brezhnjevi, Gorbaçovi dhe madje te Jelcini pas rënies së komunizmit. Ata mendonin se Bashkimi Sovjetik apo Rusia duhet të ushtronin një rol të spikatur dhe qendror në politikën globale, dhe se SHBA nuk ishte e gatshme t’ia jepte atë rol në sistem.
Pas pushtimit të Ukrainës, Perëndimi përjetoi një unitet të ri dhe qartësi morale, duke e ndëshkuar Putinin me sanksione dhe mbështetur Kievin. Por më pas inflacioni u rrit në nivele të larta të cilat nuk janë parë në dekada, dhe kostot e energjisë në rritje kanë shkaktuar protesta në shumë vende europiane. Si duket sot uniteti perëndimor?
Uniteti perëndimor ka qenë shumë më i madh sesa mund të supozohej në shkurt 2022, por Putini po luan një lojë të gjatë. Ai mendon se mund ta lodhë Perëndimin. Se ky unitet nuk do të zgjasë shumë sapo diçka të shkojë keq, një rënie ekonomike apo recesion, rritje e populizmit në Europë ose zgjedhja e një presidenti të ri në SHBA.
Putin mendon se ai mund të nxisë mosmarrëveshje midis vendeve europiane. Edhe kjo është një paralele e Luftës së Ftohtë; është një qasje sovjetike dhe ruse e testuar prej kohësh në politikën ndërkombëtare, veçanërisht ndaj EEuropës Gjatë Luftës së Ftohtë, prioritet kryesor i sovjetikëve ishte dëbimi i Shteteve të Bashkuara nga EEuropa he sabotimi i integrimit europian.
A është sot bota më shumë si Lufta e Ftohtë bipolare, kur ajo u nda në dy kampe, apo shumëpolare, pra që ka shumë qendra konkurruese për pushtet?
Shumë njerëz thonë se bota sot është e ndryshme nga Lufta e Ftohtë pikërisht në këtë aspekt. Te ky pretendim ka diçka të vërtetë, ndonëse ky bipolaritet po shpërbëhej që nga vitet 1970. Kina u shkëput nga Bashkimi Sovjetik dhe më pas doli nga Lufta e Ftohtë. Madje u rreshtua me Shtetet e Bashkuara kundër Bashkimit Sovjetik.
Sot, ka një tendencë drejt ngurtësimit të dy blloqeve, siç e pamë me përpjekjen e Bajdenit për të krijuar një aleancë të demokracive. Por nuk mendoj se do të funksionojë, për shkak të bazave ekonomike të sistemit botëror, rishpërndarjes së pasurisë në vendet e reja dhe shfaqjes së qendrave të reja të pushtetit.
Çfarë do të thotë një botë shumëpolare?
Ne po lëvizim më shumë në drejtim të qendrave të përhapura të pushtetit, me shumë shtete që nuk dëshirojnë të anojnë nga asnjëri prej këtyre blloqeve të reja. Nuk jam as i sigurt nëse Kina dhe Rusia do të dalin si një bllok i vetëm. Ato do të ruajnë distancën dhe kontradiktat e tyre të brendshme, edhe pse ndoshta nuk do të lejojnë që ato kontradikta të degradojnë në një konflikt si ai gjatë Luftës së Ftohtë.