MENU
klinika

Studiohen nga albanologët

Afresket e periudhës romake në Durrës

17.01.2023 - 14:15

Akademia e Studimeve Albanologjike është duke studiuar pikturat murale të periudhës romake të zbuluara në Durrës.

Bëhet fjalë për një sasi jo të pakët fragmentesh të pikturave murale të një cilësie shumë të lartë. Së pari me ndihmën financiare të fondacionit Thyssen u punua për të sistemuar fragmentet e afreskut në mbi 100 arka druri specifike për këtë qëllim, ku mund të ruhen të sigurta. Janë në proces sistemimi edhe 30 arka të tjera me fragmente afreskesh.

Në vitin 2022 filloi një projekt studimor në bashkëpunim mes Institutit Arkeologjik të Shqipërisë dhe Institutit Arkeologjik të Universitetit të Këlnit, me ndihmën financiare të Fondacionit Fritz Thyssen.

Fragmentet që po sistemohen janë gjetur përgjatë gërmimeve të shpëtimit në pesë zona të ndryshme të Durrësit. Së pari nisi përpunimi i afreskeve nga një gërmim i vitit 2005, në vendgjetjen e mozaikut me meander. Nga më shumë se 3000 fragmente mund të dallohen deri më tani të paktën katër sisteme dekorimi të ndryshme: një sistem me kombinim të ngjyrave të kuqe dhe të zezë; një sistem i dytë me kombinim të ngjyrës së kuqe; një tjetër me kombinim të ngjyrës së verdhë dhe sfond të bardhë me kurora frutash, shandanë, zogj dhe elementë florealë; dhe së fundmi një sistem i krijuar me zbukurime në një qemer të pikturuar me një skemë ornamentale me gjysmërrathë.

Më mbresëlënëse është dekorimi me panele kuq e zi ku pikturohen Kupidë fluturues dhe hapësira më të vogla në ngjyrë të zezë me kurora të ndërthurura. Ky model dekorimi mund të datohet në çerekun e fundit të shek. I e.s. Ndërsa dekorimet e tjera janë të mëvonshme, ndoshta të datuara në gjysmën e parë të shek. II e.s. Do të nevojiten kërkime të mëtejshme për të arritur në një klasifikim dhe datim më të saktë.

Studiuesit janë duke punuar për të realizuar një rikrijim kompjuterik në photoshop për secilën faqe muri prej të cilave ruhen ende fragmentet e afreskeve.