Forcimi i bashkëpunimit të sigurisë për të frenuar Kinën, rinisja e Kornizës Ekonomike Indo-Paqësore, një platformë ekonomike kjo që synon të kundërshtojë ndikimin e Pekinit në rajon, të lë të kuptosh më së miri se cila do të jetë tema që do të shtrohet në tryezën e samitit të ardhshëm të G7 që planifikohet të mbahet në muajin Maj në Hiroshima.
Në takimin e fundit midis liderit amerikan Joe Biden dhe atij Japonez Fumio Kishida në Shtëpinë e Bardhë janë prekur shumë tema, por tema më kryesore dhe has më shumë interes për të dyja palët është kundërshtimi i planeve politike dhe ekonomike të qeverisë kineze, veçanërisht pushtimi i Tajvanit.
“Për të qenë të qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plotësisht të përkushtuara ndaj aleancës dhe më e rëndësishmja, ndaj mbrojtjes së Japonisë”, tha Biden.
Në një deklaratë të përbashkët, të dy liderët riafirmuan vendimin e Tokios për të blerë qindra raketa amerikane Tomahawk, për të forcuar pozicionin e ri që vendi aziatik synon të marrë në çështjet e mbrojtjes.
Biden dhe Kishida thanë gjithashtu se kishin udhëzuar ministrat e tyre për të forcuar bashkëpunimin për zhvillimin dhe vendosjen efektive të kundërsulmit japonez dhe aftësive të tjera. Biden më pas riafirmoi angazhimin e SHBA-së për të mbrojtur Japoninë duke përdorur gamën e plotë të aftësive,përfshirë dhe ato bërthamore. Ndërsa Kishida deklaroi se do të rrisë buxhetin për mbrojtjen deri më 2027 në 2 % të produktit bruto në vend, ku deri më tani si kuotë jo zyrtare maksimale ishte 1%.
Siç vuri në dukje Wall Street Journal, SHBA dhe Japonia kanë njoftuar planet për të siguruar satelitët japonezë, për të pajisur Tokion me raketa me rreze të gjatë veprimi dhe për të rritur forcat detare amerikane në vend. Gjatë vizitës së tij në SHBA, Kishida ilustroi programin e mbrojtjes të publikuar në dhjetor, i cili përfshin një rritje të shpenzimeve ushtarake dhe blerjen e armëve amerikane si raketat Tomahawk. “Unë besoj se kjo do të jetë e dobishme për aftësitë parandaluese të aleancës dhe aftësitë e reagimit,” tha Kishida përpara takimit me Biden.
Nikkei Asian Revieë vuri në dukje se një nga rezultatet më të dukshme të takimit ishte për të krijuar një zinxhir të ri komandimi. Kjo fazë e re e integrimit operacional midis Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë dhe ushtrisë amerikane po forcohet ndërsa Biden dhe Kishida përgatiten të adresojnë një emergjencë të mundshme në ngushticën e Tajvanit.
Dhe, mbi të gjitha, integrimi vjen në një kohë kur Uashingtoni e ka kuptuar se nuk është më në gjendje të dekurajojë Kinën vetëm.
Biden dhe Kishida folën edhe për temën e gjysmëpërçuesve.
Në veçanti, Shtetet e Bashkuara dhe Japonia kanë diskutuar respektimin e Tokios ndaj kufijve të SHBA-së për eksportimin e gjysmëpërçuesve të avancuar dhe pajisjeve për prodhimin e çipave në Kinë. Zyrtarët nga të dy vendet thonë se palët po i afrohen një marrëveshjeje, por ka akoma dhe shumë për të bërë, duke përfshirë pjesëmarrjen e Holandës, vendi i origjinës së kompanisë së pajisjeve për prodhimin e çipave ASML Holding.
Edhe pse marrëdhëniet mes dy vendeve janë në thelb të shkëlqyera, kjo mbetet akoma si një çështje e mprehtë. Nuk është përmendur deklaratën e përbashkët të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë, por Kishida mendohet se mund të ketë ngritur shqetësime për subvencionet për automjetet elektrike të vendosura së fundmi nga Uashingtoni.
Për Tokion do të ishte një mbrojtje e padrejtë e mallrave të prodhuara në Shtetet e Bashkuara, si dhe një politikë në dëm të eksporteve japoneze në lidhje me sektorin e automobilave. Kina ka rritur forcat e saj detare dhe ajrore në zonat afër Japonisë, ndërsa pretendon Ishujt Senkaku, një zinxhir i pabanuar i kontrolluar nga Japonia në Detin e Kinës Lindore, si territorin e saj sovran.
Në fund të dhjetorit, Japonia ka deklaruar se anijet e qeverisë kineze ishin pikasur në zonën e afërt rreth Senkakus, e njohur si Diaoyus në Kinë.