MENU
klinika

“Një bandë bejlerësh të vegjël në krah të Alibeajt”

Andi Bushati: 20 deputetë sot po mbajnë opozitën të përçarë

13.01.2023 - 18:28

Partia Demokratike është duke luajtur aktin e radhës të një drame të turpshme që dëshmon rënien e saj të pandalshme. Nga njëra anë, një grupim deputetësh janë mbledhur për të shkarkuar me shumicë votash Enkelejd Alibeajn, pas qëndrimeve të tij personale dhe shpesh në kundërshtim me interesat e opozitarizmit. Nga ana tjetër, ky i fundit, ka përjashtuar, me një varg argumentash, sa qesharakë po aq edhe absurdë, katër pjesëtarë të grupit parlamentar për të ndryshuar ekuilibrin e numrave që do të sanksiononin largimin e tij përfundimtar.

E gjithë kjo betejë meskine po zhvillohet në sfondin e gjerë të një tjetre, asaj se kujt i takon të përfaqësojë partinë më të madhe të opozitës; Berishës që ka shumicën e anëtarësisë, apo grupimit të dytë që kanë trashëguar nga Basha, vulën e dikurshme që njihet ende gjykata, regjistrimin në KQZ, apo firmën për të kontrolluar llogaritë bankare të partisë.

Në pamje të parë, secila nga palët mund të ketë të drejtë. Foltoristët e kanë me prova se ata janë shumicë, e provuan këtë që nga kuvendi i 11 dhjetorit e deri në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Pala tjetër mbështetet në dy shtylla, një legaliste dhe tjetra morale. Ata pretendojnë se shumica berishiste nuk është certifikuar asnjëherë në rrugë plotësisht ligjore, ndërsa për të dytën, këmbëngulin se e ardhmja e partisë nuk mund të lihet në duart e një 80 vjeçari, që shqiptarët e kanë rrëzuar dy herë nga pushteti, aq më tepër që tanimë ky është shpallur edhe non grata nga SHBA.

Por, pavarësisht se argumentet e grupimit që vazhdon ta etiketojnë veten si “PD zyrtare” nuk janë krejtësisht të neglizhueshme, përpara tyre ngrihen disa pikëpyetje të thjeshta. A jeni ju të bindur se sendërzoni vullnetin e pjesës së gjerë të demokratëve? A e merrni veten seriozisht kur mbani në sallën e Kuvendit apo në komisione skeptrin e përfaqësuesve të PD-së? A jeni të ndërgjegjshëm se po bëni gjënë e duhur duke i dërguar ju emrat e komisionerëve zgjedhorë që i takojnë opozitës? A mendoni se keni mandatin e kundërshtarëve të këtij regjimi, kur merrni poza sikur negocioni me pushtetin zgjedhjen e presidentit, ligjin kundër spiunëve apo zgjatjen e jetës së komisionerëve famëkeqë të vettingut?

Ndonëse i kuptoj dhe i pranoj një pjesë të madhe të vërejtjeve të tyre për Berishën, sa herë jam rekur ti bëj privatisht deputetëve të këtij krahu këto pyetje, po aq herë kam mbetur i shtangur. Nën zë ata e pranojnë se “doktori” dhe foltorja janë shumicë dërrmuese. Me hir apo pahir të pohojnë se tashmë anëtarësia në bazë e ka bërë zgjedhjen e saj. Por ama kur tenton ti provokosh se ç’kuptim ka të hiqen për atë që nuk janë, shpjegimet nisin e bien në absurditet.

Ato më shumë i ngjajnë klisheve që përsëriste çeta e dikurshme e deputetëve të “kërpëratave”, që ambasada dhe rilindja i konsideronte si opozitarë, ndërsa pjesa më e madhe e publikut i trajtonte si karavidhe qesharake.

Kjo ndjesi të krijohet edhe kur sheh Alibeajn në Kuvend të flasë në emër të PD-së. Kjo valë përçmimi të pushton kur sheh se si ai prezanton kandidatët për zgjedhjet lokale, gjoja si përfaqësues të kësaj force politike.

Po i njëjti trishtim, sa tragjik dhe komik, të kaplonte edhe po të ndiqje deklaratën e fundit të përjashtimit nga grupi parlamentar të Këlliçit, Shehajt, Bylykbashit e Shehut.

Dhe prej aty, çdo njeri me dy pare mend në kokë do të ngrinte pyetjen: Mirë Enkelejd Alibeaj mund të jetë në delir, mirë ai mund ta ketë shpallur veten një monark pa mbretëri apo diktator pa ushtarë, po ata derdimenë që i shkojnë nga pas cilët janë?

Sepse, në fakt, problemi i real i PD-së sot, nuk është Alibeaj, por një bandë bejlerësh të vegjël, që e shohin punën e deputetit si një interes meskin të ruajtjes së ngastrës së tyre. Të zhveshur nga çdo përgjegjësi e mbajtjes së qëndrimeve në publik, të tjetërsuar nga çdo instikt politik i përfaqësimit të shumicës së një familje votuesish, ata qëndrojnë në hije, kanë frikë të shprehin ide, refuzojnë të kenë mendim, madje dhe kur janë të detyruar të hedhin ndonjë firmë, këtë e bëjnë në kulisa dhe e trajtojnë si një pazar banal, më jep të jap.

Kjo u pa qartë edhe në episodin e fundit të goditjes të katër deputetëve. Me ndonjë përjashtim të rrallë, askush nga ata që mbështesin grupimin e vetëquajtur “PD-ja zyrtare” nuk pati guxim të fliste. Ata i shmangeshin mikrofonëve të mediave dhe i trembeshin si djalli temjanit ftesave për tu përballur në emisionet politike të mbrëmjes.

Atyre nuk i interesonte fare pyetja nëse i volisnin përjashtime të tjera një partie edhe kështu të bërë copë e çikë. Ata nuk e quanin për turp që askush nuk kishte denjuar tu merrte mendim për këtë akt.

Ata thjeshtë i janë nënshtruar fatit se kanë renditur emrat në një listë që tenton të shesë sapunin për djathë, se janë pjesë e një pakice të papërfillshme që shtiret si shumica dominuese e partisë më të madhe opozitare dhe për këtë. Ata as nuk duan të përballen, as të nxjerrin fytyrën në publik e jo e jo, të marrin guximin të argumentojnë politikisht.

Kjo bandë tarallakësh nuk është e vogël. Ajo numëron sot mbi 20 deputetë që e mbajnë opozitën të përçarë.

Dhe më shumë se sa sherret Berisha-Basha, më shumë se konflikti për selinë, stemën apo vulën, më tepër se debati për dekomunistizmimin e PD-së apo pro-amerikanizmin e saj, ekzistenca e këtyre parazitëve shpreh mjerimin më të madh të demokratëve. Kur mendon se me këtë tabor, PD-ja u nis për të shembur regjimin, në zgjedhjet e 21 prillit, e kupton se sa iluzive ka qenë kjo ambicie. Madje më keq akoma edhe nëse do të besosh në mrekullinë e ribashkimit dhe forcimit të kësaj partie e kupton se kjo është e pamundur. Pasi problemi nuk qëndron vetëm tek mbledhja e firmave kundër Alibeajt, por mbi të gjitha tek bejlerët meskinë që do të vazhdojnë të vegjetojnë aty. Lapsi.al

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin