Që nga mesi i shtatorit, SHBA dhe BE kanë vendosur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në një kornizë të re negociuese dhe po e marrin propozimin e paraqitur së fundmi nga presidenti Aleksandër Vuçiç si bazë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Mediat serbe shkruajnë se në atë proces, të dyja palët peshojnë arsyet e (mos) arritjes së marrëveshjes dhe nga ata që do të ishin garantues, duket se pjesa më e dobët e hallkës është Brukseli, sepse Bashkimi Evropian në kapacitetin e tij aktual nuk ka asnjë ofertë për to. Qëllimi i Serbisë për integrim në BE është një rrugëtim që ka nisur prej dy dekadash por në vend që t’i afrohet këtij qëllimi, perspektiva evropiane e Beogradit po bëhet gjithnjë e më e zbehtë. Politika e zgjerimit të BE-së kundërshtohet nga vendet më të fuqishme anëtare të BE-së dhe sa më larg të jetë Beogradi nga Brukseli, aq më shumë rritet euroskepticizmi në Serbi. Kështu, historia për shkopin dhe karotën, ose thënë ndryshe, anëtarësimin në BE, që ishte një argument i fortë për marrëveshjen me Prishtinën, u zbeh me kalimin e kohës, sipas medieve serbe pasi rrethanat gjeopolitike ndryshuan, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ndikoi si presion për t’u përdorur për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Por ajo që i vuri pikën ishte plani franko- gjerman që la të kuptohej qartë se çfarë i ofrohet Beogradit nëse thotë “po”. Edhe pse plani ende nuk është bërë i ditur, presidenti serb deklaroi se Serbisë i ofrohet hyrje e përshpejtuar në BE dhe përfitime të konsiderueshme ekonomike nëse e lejon Kosovën në OKB. Por deri më tani zyrtarët e BE janë shprehur se nuk duhet vënë shpejtësia para cilësisë së vetë procesit dhe se gjithçka varet nga puna e bërë, gjë që len të nënkuptohet se mund të hidhet hije ndaj premtimeve.
Procesi i anëtarësimit ka vdekur
Këtë e thotë shumë qartë dhe me zë të lartë gazetari i gazetës “Frankfurter Algemeine Zeitung”, Michael Martens, i cili vlerëson se në rast se Serbia pajtohet me propozimin e ri evropian për Kosovën dhe nënshkruan marrëveshjen, nuk do të kishte asnjë progres në anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pasi tashmë dihet se procesi ka vdekur. Ai thotë se negociatorët nëse duan të zgjidhin çështjen e Kosovës duhet të propozojnë diçka të re. Ai mendon se perëndimi erdhi duarbosh, nuk ka as shkop, as karotë. Martnes nuk ka dyshim se negociatorët duna ta zgjidhin çështjen e Kosovës por çështja është se nuk mjafton ta duash diçka nëse nuk ke ide dhe koncepte të qarta. Për të zgjidhur këtë çështje kaq delikate duhet me patjetër të vendoset në tavolinë një propozim i ri dhe konkret. Më tej ai theksoi se nuk beson se Serbia mund të anëtarësohet në BE edhe pse vetë ajo mund ta kërkoje por kjo kërkesë e saj do të refuzohet.
BE, premtime boshe
Të njëjtin mendim ndan edhe analisti politik Cvijetin Milivojeviç, i cili thekson se BE-ja ka diçka për t’u ofruar vendeve të Ballkanit Perëndimor por në të njëjtën kohë nuk do që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare të BE-së. Bosnja ka bërë shumë për sa i përket reformave, dhe arritën të bëhen kandidate vetëm kohët e fundit. Para kësaj, Ukraina u bë kandidate ekspres dhe kjo për shkak të agresionit të Rusisë. “Nëse BE-ja do të na donte vërtet brenda BE-së, do të na kishte pranuar shumë kohë më parë”, thekson Milivojeviq. Në mbështetje të pretendimit të tij, ai kujton nivelin e gatishmërisë për anëtarësim të Rumanisë dhe Bullgarisë kur ata u pranuan në rrethin e të zgjedhurve. “Vendet që janë tani kandidate, Serbia dhe Mali i Zi, kanë shkuar shumë më tej në reforma sesa Rumania, Bullgaria dhe madje edhe vendet baltike të BRSS kur u bënë anëtarë. Premtimi i BE-së që “ju do të jeni të parët në radhë”, nuk funksionon më dhe kam frikë se përgjigjja jonë do të jetë e njëjtë si në rastin e Turqisë, e cila tha se nuk na intereson shumë, ne do të marrim nga ju atë që na përshtatet dhe nuk kemi pse të anëtarësohemi”, vijon më tej Milivojevic. Serbia i hodhi hapat e parë drejt BE-në fund të dhjetorit 2009, kur aplikoi për anëtarësim. Në mars 2012 morën statusin e vendit kandidat dhe hapën dy kapitujt e parë në dhjetor 2015. Që atëherë e deri më sot është diskutuar data e anëtarësimit.