MENU
klinika

Shtete që nuk e kanë njohur Kosovën

“Po negociojmë me vendet e BE për të pranuar planin franko-gjerman”

27.01.2023 - 12:26

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak,deklaroi se ka nisur një mision për t’u takuar me vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën me qëllim që të binde ata që të pranojnë propozimin e BE-së për Kosovën.

Ai tha se është duke negociuar me ato vende për të miratuar një propozim evropian, si dhe theksoi se ka mesazhe pozitive që katër nga pesë prej këtyre vendeve shohin se është e rëndësishme që procesi të sjellë rezultate. “Jam takuar me përfaqësuesit e katër nga pesë vendet në dy ditët e fundit për të diskutuar këtë propozim. Jam takuar me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros, me të dërguarin special të Greqisë dhe do të takohem me ministrin e Jashtëm të Rumanisë.

Këto vende po e përcjellin procesin me shumë vëmendje, sepse çështja e Kosovës dhe e Serbisë është çështje rajonale” është shprehur ai. Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia. Edhe pse në planin franko-gjerman nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara pika të cilat insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Rreth këtij propozimi tashmë është arritur një unitet ndërkombëtar dhe janë ftuar Kosova dhe Serbia që të jenë konstruktive në qasjen ndaj këtij propozimi, në mënyrë që të arrihet pajtimi për të. Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog në Bruksel. Ky dialog ka për synim normalizimin e raporteve. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit. Kosova ka thënë se një marrëveshje finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia ka insistuar në një zgjidhje kompromisi.