MENU
klinika

Urimi i Margaritit

“Le të jetë 2023 viti i kulturës dhe i shqiptarëve”

01.01.2023 - 16:47

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti uroi sot Vitin e ri 2023.

Margariti u shpreh se, viti 2022 ishte një vit sfidash.

“Provuam veten dhe ndërmorëm nisma të reja në ndihmë të qytetarëve, në ndihmë të artistëve, në mbrojtje të trashëgimisë kulturore, ngritjes së urave të komunikimit me hapësirat artistike ndërkombëtare dhe përmirësimin e imazhit të hapësirave publike”, theksoi Margariti.

“Nisëm Bonusin e Rijetësimit, Javët Kulturore Ndërkombëtare dhe Art në Hapësira Publike”, nënvizoi më tej ministrja.

“Ngritëm kantiere të reja restaurimi e rijetësimi, duke ndryshuar qasjen tonë me monumentet, muzetë dhe krijimin e hapësirave për punësimin e të rinjve!”, tha Margariti

Ajo theksoi se, “kryelajmi ishte patjetër përfshirja e xhubletës në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Kjo veshje madhështore, të cilën duhet ta shpëtojmë me çdo kusht e t’ia përcjellim dijebërjen brezave, qoftë ogur i mirë jo vetëm për 4 dosje të tjera drejt UNESCO-s, por për gjithë kulturën”.

“Kemi përpara nisma dhe sprova të reja që do i përmbushim së bashku! Le të jetë 2023 viti i kulturës, viti i shqiptarëve!”, uroi Margariti përmes një postimi në rrjetet sociale.