Tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit natyror raportojnë se çmimet e karburanteve kanë rënë. Siç shihet dhe nga pamjet e mëposhtme, nafta e papërpunuar “Brent” ka rënë në 78 dollarë për fuçi, duke ju afruar pragut të para luftës në Ukrainë, që ishte 70 dollarë.
Nafta “Brent” e njohur dhe si “Brent Blend”, “London Brent” dhe “Brent Petroleum” është standardi kryesor i çmimeve globale për naftën bruto. Ajo përdoret për të vendosur çmimin e dy të tretave të furnizimeve të naftës së papërpunuar të tregtuar ndërkombëtarisht në botë.
Mirëpo, pavarësisht se në bursë ka një rënie të ndjeshme të naftës, nga 85 dollarë apo 90 dollarë për fuçi që ka qenë javët e fundit, në Shqipëri “ari i zi” vazhdon të tregtohet me 199 lekë/litri. Ky çmim është vendosur që në dhjetor dhe Bordi i Karburanteve ka harruar të dalë përsëri.
Siç kanë deklaruar me herët ekspertët, Shqipëria ka një çmim të lartë të karburanteve për shkak të këtij Bordi të ngritur nga qeveria. Edhe pse duhet t’ju shërbente qytetarëve, duket se vetëm ky nuk është misioni i Bordit, pasi nafta rritet menjëherë sapo çmimi rritet në bursë. Ama kur çmimi bie në tregjet ndërkombëtare, Bordi në Shqipëri harron të dalë me njoftim.